Futboll

Bujupi huazohet në Belgjikë

Eliot Bujupi

Sulmuesi kosovar, Eliot Bujupi do ta vesh fanellën e klubit belg, Westerlo, përgjatë edicionit 2025/2026. 

Bujupi është huazuar për një vit te klubi elitar i Belgjikës nga ekipi i dytë i Stuttgartit. Westerlo e ka edhe opsionin e blerjes të kartonit të Bujupit. 

Drejtori i akademisë së të rinjve te Stuttgarti, Stephan Hildebrandt, deklaroi se është shumë e rëndësishme për Bujupin që të stërvitet rregullisht në një nivel të lartë. 

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Elioti të stërvitet rregullisht në një nivel të lartë tani. Huazimi në divizionin e parë belg jo vetëm që i jep atij këtë mundësi për të luajtur, por gjithashtu i paraqet një sfidë të re në një mjedis të panjohur. Prandaj, shpresojmë që Elioti do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në zhvillimin e tij në Westerlo dhe do ta monitorojmë nga afër huazimin e tij në Belgjikë”, ka thënë Hildebrandt. 

19-vjeçari Bujupi është zhvilluar si futbollist te Stuttgarti. 

Me Përfaqësuesen e Kosovës ka një ndeshje të luajtur.