Arbëri

Ambasada e Gjermanisë bën thirrje për respektim të pavarësisë së Kushtetueses

Gjermania dhe Kosova

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas gjuhës së përdorur të dielën nga udhëheqësit e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në reagim Ambasada e Gjermanisë ka theksuar se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është gur themel i sundimit të ligjit. 

Ambasada u ka bërë thirrje akterëve politikë dhe institucionalë të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit gjyqësor.

"Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, Ambasada e Gjermanisë dëshiron të bëjë këtë deklaratë: Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë si gur themel i sundimit të ligjit. Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë sistemit gjyqësor dhe të heqin dorë nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale", thuhet në deklaratën e Ambasadës. 

Kushtetuesja ka vënë masë të përkohshme deri më 30 shtator, periudhë kur nuk lejohet asnjë veprim i deputetëve e as nuk lejohet me procedimin për formim të Qeverisë së re.

Kjo masë është marrë si shkak që Kushtetuesja të sulmohej të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku lideri Albin Kurti u nominua për kryeministër.

Ai bashkë me nënkryetarin e LVV-së, Glauk Konjufca, folën gjer e gjatë për Kushtetuesen dhe vendimet e saj.
Kurti ka thënë se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti të dielën.

Me Gjykatën Kushtetuese është marrë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka folur për një vendim që mund ta marrë gjykata që, sipas tij, do të ishte tradhti kombëtare.

Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor. 

Kundër sulmeve ndaj Kushtetueses është shprehur edhe shefi i misionit të EULEX-it.