Arbëri

Dënohet gjuha e përdorur ndaj Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese

Thirrje për mosndërhyrje të politikës në punën e gjyqësorit ka pasur të hënën, pas gjuhës së përdorur  të dielën nga udhëheqësit e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor. 

“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, ka thënë Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë.  

Po ashtu edhe shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin “X” të hënën, ai ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemel i sundimit të ligjit.

Sipas tij, ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme.

Reagim ka pasur edhe nga vet Kushtetuesja.

Ajo ka shprehur shqetësimin e saj për siç ka thënë “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

Përmes një komunikate për media Kushtetuesja ka thënë se pavarësia e saj nuk është privilegj i gjyqtarëve që ajo ka, por është themel i shtetit të së drejtës. 

Kushtetuesja ka vënë masë të përkohshme deri më 30 shtator, periudhë kur nuk lejohet asnjë veprim i deputetëve e as nuk lejohet me procedimin për formim të Qeverisë së re.

Pikërisht kjo masë është marrë si shkak që Kushtetuesja të sulmohej të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku lideri Albin Kurti u nominua për kryeministër.

Ai bashkë me nënkryetarin e LVV-së folën gjer e gjatë për Kushtetuesen dhe vendimet e saj.

Kurti ka thënë se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti të dielën.

Me Gjykatën Kushtetuese është marrë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka folur për një vendim që mund ta marrë gjykata që, sipas tij, do të ishte tradhti kombëtare.

“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës, ky është akti më i lartë i Republikës, ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë, të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Menjëherë, në mbrojtje të gjykatës dolën nga opozita.

Qëkur ka nisur seanca konstituive, më 15 prill, Kushtetuesja ka marrë tri vendime. Dy të parat nuk janë respektuar.