Arbëri

Shefi i EULEX-it: E papranueshme ndërhyrja në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve

eulex

Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.

Në një postim në profilin e tij në X ka thënë se pavarësia gjyqësore është gurthemel i sundimit të ligjit.

Sipas tij, ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është e papranueshme.

“Pavarësia gjyqësore është një nga gur themelet e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë. Ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale të drejtuara drejtpërdrejt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”, ka shkruar ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ai ka thënë se vendimi i së premtes për pezullimin e procedurave për formimin e qeverisë së re ka bllokuar punën e 120 deputetëve për 25 ditë.

“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti.