Arbëri

Barbano: Situata në veri stabile, ka nxitës të mundshëm për tensione

Giovanni Pietro Barbano

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe stabile, megjithatë konsideron që ka ende sfida dhe “nxitës të mundshëm për tensione”. Autoritetet vendore, ai thotë se duhet t’i adresojnë këto dhe të zgjidhen përmes dialogut. Në intervistën për KosovaPress, Barbano thotë se ani pse nuk ka më mandat ekzekutiv, roli i EULEX-it në rast të tensioneve është i reaguesit të dytë të sigurisë.

Nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar udhëheqësia në komunat veriore. Atje udhëheq Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar. Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tregon nëse mund të ketë ndikim kjo në situatën e sigurisë në veri.

“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Ne e shohim pozitivisht kthimin e kryetarëve serbë të Kosovës në detyrë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore....Ka ende sfida që duhet adresuar, sidomos në integrimin e plotë të komuniteteve pakicë dhe garantimin e të drejtave të tyre brenda sistemit të Kosovës. Kjo kërkon rregullore, marrëveshje dhe diskutime që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, deklaron Barbano.

Në rast të tensioneve dhe përshkallëzimit të situatës në veri, Barbano tregon se cili është roli i EULEX-it.

“Roli ynë është ai i reaguesit të dytë të sigurisë. Nëse, shpresojmë jo, ndodhin trazira serioze civile dhe Policia e Kosovës kërkon ndihmë, ne mund të dislokohemi për ruajtjen e rendit publik dhe kontrollin e turmave. Por kjo është masa e fundit; më parë përdorim mjete dialogu, ndërmjetësimi dhe negocimi”, shprehet ai.

Në anën tjetër, në gjithë Kosovën po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë, pasi është vërtetuar që ka pasur manipulim të votave. Madje, të premten në Prizren është zhvilluar një aksion nga Prokuroria Themelore, ku janë ndaluar 109 persona.

Barbano tha se “është për të ardhur keq”, që ka pasur raste të tilla të keqpërdorimeve.

“Sa u përket zhvillimeve pas zgjedhjeve të fundit, nuk do të komentoja shumë në këtë fushë, pasi nuk është pjesë e mandatit tonë dhe ka institucione të tjera përgjegjëse. Megjithatë, një vërejtje e vetme është se është shumë pozitive që institucionet e Kosovës kanë qenë në gjendje t’i identifikojnë vetë mangësitë dhe t’i adresojnë ato. Kjo dëshmon se sistemi demokratik është i qëndrueshëm. Është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur, por, siç e kam theksuar gjatë takimit tim me koordinatoren nacionale të Prokurorisë së Shtetit, znj. Laura Pula, fakti që është zbuluar dhe po trajtohet në nivelin e duhur është një zhvillim shumë pozitiv. Përgjegjësia për trajtimin e këtyre çështjeve u takon plotësisht autoriteteve të prokurorisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thotë ai.