“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në komunikatë
Gjykata Kushtetuese i ka quajtur të pamatura deklarimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë.
Kjo gjykatë, të hënën, një ditë pasi udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje e kritikuan, ka shprehur shqetësimin e saj përmes një komunikate.
“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës. Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. “Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Gjykata apelon te të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Kushtetuesja ka në trajtim ankesën e Listës Serbe. Kjo parti është ankuar për anashkalim të saj me rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Kushtetuesja ka vënë masë të përkohshme deri më 30 shtator, periudhë kur nuk lejohet asnjë veprim i deputetëve e as nuk lejohet me procedimin për formim të Qeverisë së re.
Pikërisht kjo masë është marrë si shkak që Kushtetuesja të sulmohej të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku lideri Albin Kurti u nominua për kryeministër.
Ai bashkë me nënkryetarin e LVV-së folën gjer e gjatë për Kushtetuesen dhe vendimet e saj.
Kurti ka thënë se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.
“Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019. Pastaj fitojmë zgjedhjet në herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë edhe sivjet për herë të tretë, por ja që ata ngelën të njëjtit aty në gjykatë, thua se është viti 2018”, ka thënë Kurti të dielën.
Me Gjykatën Kushtetuese është marrë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ka folur për një vendim që mund ta marrë gjykata që, sipas tij, do të ishte tradhti kombëtare.
“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës, ky është akti më i lartë i Republikës, ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por skenari i tretë, të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Menjëherë, në mbrojtje të gjykatës dolën nga opozita.
E të hënën, Kushtetuesen e kanë mbrojtur shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe Bashkimi Evropian.
Qëkur ka nisur seanca konstituive, më 15 prill, Kushtetuesja ka marrë tri vendime. Dy të parat nuk janë respektuar.