Pas njoftimit të Kushtetueses për aktgjykimin mbi seancën konstituive, për herë të parë ka komentuar kryeministri në detyrë Albin Kurti. “Duhet ta presim aktgjykimin e plotë”, ka deklaruar shkurt Kurti, kur është pyetur nëse do ta respektojë atë. E përfaqësues të Gjermanisë kanë theksuar nevojën e respektimit dhe zbatimit të plotë të vendimit të Kushtetueses për t’i dhënë fund ngërçit politik
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kur është pyetur nëse do ta respektojnë atë.
Derisa në deklaratat e mëparshme para se të publikohej njoftimi për aktgjykimin, Kurti pati thënë se gjithmonë i ka respektuar aktgjykimet, por të martën ai ka qenë fare i shkurtër pasi mori pjesë në ceremoninë e 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë.
“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur më 26 qershor dhe më 8 gusht, por ky i 8 gushtit është veç njoftim”, ka thënë Kurti.
Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht njoftimin mbi aktgjykimin i cili u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Sipas aktgjykimit, që ende nuk është publikuar i plotë në gazetën zyrtare, kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe i njëjti kandidat për këtë post mund të votohet vetëm deri në tri herë. Kandidatja e vetme për të cilën deri tash ka insistuar Lëvizja Vetëvendosje është Albulena Haxhiu.
Eksponentë të Vetëvendosjes e kanë kritikuar Kushtetuesen për vendimin, por ai është mirëpritur nga partitë që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.
E ndërkombëtarët u kanë kërkuar akterëve politikë në Kosovë të respektojnë dhe implementojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive.
Për dy ditë, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe liderët e opozitës, përfaqësues të komunitetit serb dhe shoqërinë civile.
Siç ka njoftuar ambasadori gjerman Jorn Rohde, Reiffenstuel theksoi nevojën për respektim të plotë dhe implementim të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund bllokadës politike.
“Gjatë takimit me aktorët politikë të Kosovës, ai nënvizoi nevojën për të respektuar dhe zbatuar plotësisht vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund ngërçit politik. Ai gjithashtu përsëriti pritjet tona që të gjitha partitë që plotësojnë kriteret të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka shkruar Rohde.
Sipas njoftimit, Reiffenstuel ka shprehur përkrahjen për emisarin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, në dialogun me Serbinë.
“Angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e integrimit të Kosovës në BE, të cilin Gjermania e mbështet fuqimisht”, ka shkruar Rohde.
Edhe Ambasada e SHBA-së para disa ditësh ka shprehur qëndrimin se Gjykata Kushtetuese ka lëshuar vendimin e saj dhe se lidershipi i Kosovës duhet të bashkëpunojë për t’i formuar institucionet.
Në një përgjigje për KOHËN që ka dhënë Ambasada, është thënë se bllokimi i vazhdueshëm politik prezulton në mundësi të humbura për Kosovën.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar vendimin e saj dhe lidershipi politik duhet të punojë së bashku për t’i formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre t’i përmbushin angazhimet e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin në dobi të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë e shpërfillën Aktgjykimin e parë që kishte vënë afatin 30 ditor përkitazi me konstituimin e Kuvendit, por pa treguar pasojat nga mos zbatimi i Aktgjykimit.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan ta finalizojnë atë me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënshkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.