TEMPUS

Zogaj: Zgjedhja e anëtarëve të rinj në KGJK do të jetë transparente dhe pa asnjë lloj ndërhyrje

Albert Zogaj

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se si KGJK kanë pasur dy përgjegjësi, që në zgjedhjen e kryetarëve mos të ketë ndryshim të rregullave dhe procesi të jetë transparent.

“Në momentin që kemi konkurrencë, është absolutisht në frymën e debatit, në frymën demokratike sidomos tash kur bëhet fjalë për Gjykatën Supreme dhe Apelin që janë njerëz që nuk influencohen”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, procesi është krejtësisht transparent, demokratik dhe me kandidatë që kanë një bagazh të pranueshëm profesional dhe kushdo që do të zgjidhet do jenë përfaqësues të dinjitetshëm.

Nëse do këtë “hallakama” si në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Zogaj u shpreh se ajo që mund të thotë është se e ka ndjerë detyrën e kryesuesit dhe në paqe do i kalojnë këto procese, pasi nuk është proces që do të ndikohet.

“Është vetëdije e lartë, proces krejtësisht i ndërtuar mbi botën e lirë. Konkurrenca, debati, perspektiva është krejtësisht legjitime”, shtoi ai.

Ajo që tha se do dëshironte të vazhdonte pas përfundimit të mandatit të tyre, Zogaj tha se është të besojnë në atë që e veprojnë dhe të veprojnë ashtu siç besojnë.

Ndërsa lidhur me zhvillimet në Këshillin Prokurorial, për shkak të ndërrimit të anëtarëve, Zogaj pa komentuar shumë, u shpreh se kanë raporte institucionale mes KGJK-së dhe KPK-së.

Ai tha se nuk kanë bartur në institucion logjikën e njohjes se personave që i kanë njohur me parë, duke shtuar se kanë pasur koordinim të mirë, për shkak të dinamikave që e kanë diktuar këtë raport, përfshirë edhe reformën.

“Sa më shumë që të koordinohemi, eliminohen keqkuptimet dhe ping-pongu mbi përgjegjësitë, sepse ka edhe ndërveprime sidomos në teknologji dhe çështje tjera. Por, gjithmonë kur flas për koordinimin e institucioneve, gjithmonë flas për koordinimin për punën transparente”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo i shërben zhvillimit dhe rritjes së përbashkët.

Zogaj shtoi se nuk ka asnjë paragjykim për atë që po ndodh në Këshillin Prokurorial. /BetimipërDrejtësi

 


“Nuk ka rritje taksash, është kundërvlerë minimale e shërbimit”

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke folur lidhur me çështjen e taksave gjyqësore, tha se nuk ka rritje taksash por ka akses të hapur për në gjykatë.

“Në fakt, nuk ka rritje taksash, ka akses të hapur të qytetarit për në gjykatë” u shpreh Zogaj në “Tempus“ në KTV.

Ai tha se kanë ndjekur një standard të thjeshtë, që të krijohet akses pa kosto secilit qytetar që nuk ka kërkesë pasurore në gjykatë, përkatësisht kushdo që ka kërkesë pune, familjare apo sociale, do të ketë akses pa taksë në gjykatë, ndërsa atë që kanë kërkesë pasurore do të paguajë një taksë.

“Taksa në fakt është kundërvlera e shërbimit si kosto letër, teknologji, por jo edhe e kalkuluar edhe vlera e shërbimit që merr. Thjesht, mund të themi vlera administrative e shërbimit, në këtë logjikë është krijuar ky koncept”, tha Zogaj.

Gjithashtu, ai tha se taksën nuk e sheh si pengesë për qasje në drejtësi, për shkak se të gjithë ata që janë përfitues të asistencës sociale, veteranë, e të tjerë, janë të liruar nga të gjitha taksat.

Kryesuesi theksoi se taksa nuk është vendosur si mekanizëm për preventimin e lëndëve. /BetimipërDrejtësi


 

Zogaj: Nuk mund të ndikohet gjithë struktura e gjyqësorit, ka tendenca për targetim të individëve

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se struktura e gjyqësorit është e qëndrueshme, pavarësisht tendencave për ndikime.

“Targetimet individuale mund të jenë pika kritike të gjyqësorit. Pra, në qoftë se pas pesë viteve eksperiencë në gjyqësor më pyetni mua a do të mund të ndikohet komplet një menaxhment gjykate, përgjigja është “jo”. A mund të targetohet individi brenda sistemit? Po. A ka tendenca? Ka, gjithmonë ka”, ka thënë Zogaj.

Ai tha se nganjëherë mund t’i dijnë edhe brenda gjyqësorit se cilat mund të jenë pikat kritike dhe personat e targetuar për t’u influencuar në ndonjë vendimmarrje apo për t’u ndikuar në një rast tjetër.

Zogaj shtoi se mbetet pikë kritike trajtimi i rasteve serioze me nivel serioz, por të vetëdijshëm për këtë, kryesuesi tha se kanë marrë veprime të shumta për këtë periudhë.

Ai tha se rezultatet si numra nuk mungojnë edhe sipas statistikave, trajtimi i rasteve të korrupsionit e krimit të organizuar, shikuar në tri vitet e fundit janë në shkallë efikasiteti, mirëpo që rezultati që e presin sa i përket cilësisë dhe dinamikës së këtyre proceseve dhe transparencën e tyre, nuk është arritur ende.

“Ajo që është caktuar prej EULEX-it në monitorim se dinamika e rasteve nuk ka qenë e njëjtë, është e saktë”, tha Zogaj.

Zogaj përmendi se për shkak të rritjes së numrit të aktakuzave për krime lufte, është influencuar edhe ndryshimi i agjendës në Departamentin Special.

“Nëse tolerojmë sjellje të ndryshme për njerëzit e politikës në gjykatat tona, e para tregon se gjyqësori nuk po ka qasje të barabartë dhe humb besimi i publikut në gjykata. E dyta, kjo qasje e barabartë tregon se një qytetar tjetër do të jetë i diskriminuar përballë kësaj situate. Dhe e treta, ne krijojmë një shembull të keq”, tha Zogaj. /BetimipërDrejtësi


 

Zogaj: Sfida jonë ka qenë me ndal parashkrimin, e kemi bërë

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se sfida kryesore për institucionin ka qenë ndalimi i parashkrimit të çështjeve, dhe sipas tij, kjo është arritur me sukses.

“Sfida jonë ka qenë të ndalet parashkrimi dhe ia kemi dalë. Nuk ka më parashkrime me parametra shqetësues,” tha Zogaj, duke theksuar rëndësinë e këtij rezultati për funksionimin e drejtësisë.

Ai sqaroi se ka parashkrime absolute për shkak të lëvizjeve të jashtëzakonshme të popullsisë.

Zogaj përmendi po ashtu si sfida dy kategori të çështjeve: rastet e kthyera në rigjykim dhe rastet e vjetra.

“Tani, me monitorimet që janë bërë, kjo materie është vendosur në proces dhe trajtohet në mënyrë të qëndrueshme,” shtoi Zogaj.

Ai vlerësoi se përmes këtij veprimi është forcuar siguria ligjore dhe është krijuar një mjedis më transparent dhe i besueshëm për qytetarët dhe aktorët e sistemit gjyqësor. /BetimipërDrejtësi


Kryesuesi i KGJK-së: Mungesa e buxhetit e kufizon performancën, kjo e fundit besimin e publikut

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në një intervistë në “Tempus” në KTV, ka theksuar se mungesa e buxhetit të mjaftueshëm kufizon kapacitetin e gjyqësorit, performancën e tij dhe për rrjedhojë, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Ai bëri të ditur se për vitin 2025 buxheti i gjyqësorit është rreth 36 milionë euro, nga të cilat 28 milionë shkojnë për paga, ndërsa 8 milionë për zhvillim, pa subvencione, kapitale, mallra dhe shërbime.

“Ne përmes ekzekutimeve të dënimeve dhe taksave kthejmë rreth 11 milionë euro në buxhetin e shtetit. Diferenca mes kërkesave tona dhe buxhetit të miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi është rreth 12 milionë euro. Mungesa e buxhetit e kufizon kapacitetin, mungesa e kapacitetit e kufizon performancën dhe mungesa e performancës e kufizon besimin e publikut”, deklaroi Zogaj.

Ai nënvizoi se pa mbështetje adekuate financiare nuk mund të arrihet përmirësim i qëndrueshëm i efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë, duke theksuar nevojën për një qasje më serioze të institucioneve përkatëse ndaj planifikimit buxhetor të gjyqësorit. /BetimipërDrejtësi


Zogaj: Mund të ketë pika kritike edhe në dijen e gjyqtarëve dhe në integritet

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në një intervistë në “Tempus” në KTV, tha se ka pika kritike edhe në dijen e gjyqtarëve përkatësisht në nvielin profesional të realizimit të punës dhe profesionit të gjyqtarit, por edhe në integritet.

“Absolutisht, edhe ne jemi dakord që ka pika kritike edhe në dijen e gjyqtarëve, respektivisht në nivelin profesional të realizimit të punës dhe misionit të gjyqtarit, por njëkohësisht mund të ketë pika kritike në integritet”, tha Zogaj.

Zogaj tha se dija do të jetë një vlerësim i performancës, duke theksuar faktin se kanë filluar edhe me themelimin e akti të ri, e që është perfomanca mbi kritere cilësore, pasi që e njëjta është edhe kërkesë e Këshillit Evropian e Bashkimit Evropian, por edhe e akterëve tjerë ndërkombëtar që e mbështesin sistemin gjyqësor.

Ai shtoi se viti 2026 do të jetë sfidë për gjyqësorin për shkak se reforma ndodhet në fazën kur duhet të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, Zogaj tha se sistemit të drejtësisë i duhet refoma e që ndoshta edhe kjo do të jeta sfida e vitit 2026, pasi që procesi i reformës nuk është mbyllur, duke shtuar se kanë qenë nxitës dhe pjesëmarrës aktiv në procesin e reformës edhe në letrën e zotimit për Gjykatën Adminstrative, Kodin e Procedurës Civile si dhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Ai paraprakisht tha se nuk ka qenë e lehtë të mbahet një proces objektiv i rekrutimit pasi mënyra se si ka funksionuar sistemi shoqëror, e ka pasur si nevojë tendencën për ta influencuar sistemin.

Por, theksoi se vlerësimet ndërkombëtare sa i përket procesit të rekrutimit janë të nivelit më të lartë dhe të pakrahasueshme me vendet e regjionit, duke theksuar se kanë ndërtuar një standard që duhet të mbetet i qëndrueshëm. /BetimipërDrejtësi


Zogaj: Gjykata Administrative përfaqëson hapin e fundit në reformat e gjykatave

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se themelimi i Gjykatës Administrative përfaqëson hapin e fundit të reformës strukturore të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Sipas Zogajt, me këtë reformë është përmbyllur faza kryesore e riorganizimit të gjykatave, ndërsa në të ardhmen mund të diskutohet vetëm për nevoja specifike shtesë në kuadër të strukturës ekzistuese.

“Gjykata Administrative përfaqëson hapin e fundit në reformën strukturore të gjykatave. Ne mund të flasim për të ardhmen, eventualisht për nevojën e një gjykate që do të ishte format i zgjeruar i Departamentit Special për çështje të caktuara, ose për hartën gjyqësore nëse do të ketë ndonjë reduktim të ndonjë dege të gjykatës”, deklaroi Zogaj.

Ai theksoi se, në parim, reforma strukturore e gjyqësorit tashmë është e përmbyllur dhe se Gjykata Administrative e bën Kosovën të krahasueshme me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Në parim, kjo është faza e fundit e reformës dhe e bën Kosovën vend të krahasueshëm me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më tej”, u shpreh Zogaj.

Zogaj vlerësoi se krijimi i Gjykatës Administrative përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe harmonizimit të tij me standardet rajonale dhe evropiane, duke theksuar se fokusimi i mëtejmë duhet të jetë në funksionalizimin dhe efikasitetin e këtij institucioni të ri.


Zogaj: Sfida kryesore ka qenë ndalja e Vettingut në modelin e propozuar, 2025-ta më i suksesshmi për gjyqësorin

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV ka deklaruar se viti 2025 është viti më i suksesshëm në historinë e gjyqësorit të Kosovës, duke theksuar se sfida kryesore ka qenë ndalja e procesit të Vettingut në modelin e propozuar.

Sipas Zogajt, ky rezultat është arritur falë një angazhimi të jashtëzakonshëm të gjyqtarëve në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor në Kosovë.

“Viti 2025 është viti më i suksesshëm në historinë e gjyqësorit, për shkak se shkalla e efikasitetit është mbi 100 për qind. Është hera e parë që gjyqësori ka arritur këto rezultate, por duhet theksuar se për t’i arritur ato është bërë një punë e jashtëzakonshme nga gjyqtarët në të gjithë Kosovën”, deklaroi Zogaj.

Ai theksoi se një nga sfidat kryesore me të cilat është përballur KGJK-ja ka qenë ndalja e procesit të Vettingut, në modelin siç ishte paraparë fillimisht.

“Sfida kryesore ka qenë me e ndalë Vettingun, në modelin në të cilin është menduar. Besoj që kemi arritur, sepse duke qenë aktorë seriozë në këtë proces, përveç se kemi arritur të demonstrojmë në nivel të lartë mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, kemi arritur edhe vetë ta realizojmë Vettingun e brendshëm”, u shpreh ai.

Zogaj shtoi se KGJK-ja ka arritur të kryejë një proces të gjerë reformues përmes rekrutimit të rreth 200 gjyqtarëve brenda pesë viteve të fundit, që sipas tij përbëjnë rreth gjysmën e përbërjes së përgjithshme të sistemit gjyqësor.

“Kemi arritur t’i rekrutojmë 200 gjyqtarë brenda pesë viteve, me një sistem transparent dhe objektiv. Kjo ka qenë sfida kryesore, por njëkohësisht përbën edhe suksesin më të madh të këtij institucioni”, theksoi Zogaj.

Ai nënvizoi se këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke e konsideruar këtë periudhë si një moment kyç për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. /BetimipërDrejtësi