Këshilli Gjyqësor ka hyrë në ciklin e dështimit të mbledhjeve për ta zgjedhur kryesuesin. Vendimmarrja është pamundësuar edhe të martën, meqë ka munguar kuorumi. Gjyqtari Rrustem Thaqi, i cili është kandidat për kryesues të KGJK-së, ka akuzuar anëtarë të këshillit për sinkronizim veprimesh me struktura politike, për të ndikuar në proces
Në mungesë kuorumi, të martën, ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor, që në rend dite ka pasur zgjedhjen e kryesuesit të ri.
Aktualisht këshilli ka 9 anëtarë sa është edhe kuorumi, meqë katër të tjerë janë në proces zgjedhjeje, sepse u ka përfunduar mandati. E, mbledhja për kryesuesin dështoi për shkak se mungoi anëtari Fahret Vellija.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Anëtari Fahret Vellija ka njoftuar përmes e-mailit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në takimet e KGJK-së gjatë tërë javës. Ai ka thënë se gjendet jashtë vendit”, ka thënë Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e KGJK-së.
Në garë për pozitën më të lartë në sistemin gjyqësor janë Besnik Bislimaj e Rrustem Thaqi.
Thaçi tha se pamundësimi i kuorumit është i qëllimshëm dhe i koordinuar me struktura politike, me qëllim për ta dështuar vendimmarrjen.
“Është krejtësisht e panjohur, e paparë deri më tani dhe e papranueshme që anëtarët e KGJK-së t’i sinkronizojnë veprimet me struktura politike apo grupe interesi për të ndikuar jo vetëm në përzgjedhjen e kryesuesit, por edhe në sigurimin dhe promovimin e KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi”, ka thënë ai.
Sipas Thaqit, përzierja e politikës nënkupton dështim në procesin e zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.
“Çdo tendencë për të ndikuar tek anëtarët aktualë të KGJK-së, çdo tentativë për të favorizuar ndonjë anëtar, si dhe çdo formë presioni është e papranueshme. Të forcojmë dhe promovojmë pavarësinë e sistemit gjyqësor, duke garantuar që secili të shfaqë bindjen e tij lirshëm dhe të pengojmë çdo sjellje që mund të vendosë pjesëtarët e sistemit gjyqësor nën presion”, është shprehur Thaqi.
Kritika shprehu edhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, gjyqtari Artan Abazi. Ai tha se është e pakuptimtë që të mos ketë kryesues për shkak të mungesës së kuorumit.
“Publiku, shoqëria civile dhe akterët ndërkombëtarë kërkojnë nga ne të jemi funksionalë dhe të mos bllokojmë sistemin gjyqësor. Që autoriteti më i lartë i sistemit gjyqësor të mos ketë kryesues për shkak të mungesës së kuorumit është e palogjikshme, e paimagjinueshme dhe pakuptimtë për publikun”, ka thënë Abazi.
Në mars të këtij viti Këshilli Gjyqësor shpalli konkurs për kryesuesin e ri.
Kandidati Besnik Bislimaj është gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ndërsa Rrustem Thaqi në atë Supreme.
Kryesues i Këshillit Gjyqësor ka qenë gjykatësi i Supremes, Albert Zogaj, të cilit i ka përfunduar mandati më 9 mars.