Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka dështuar sërish të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, i cili është edhe njëri prej kandidatëve për kryesues, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit.
“Siç jeni në dijeni, unë jam një nga kandidatët për kryesues të KGJK-së dhe për mua nuk është fare e rëndësishme se a do të zgjidhem unë apo dikush tjetër për kryesues të KGJK-së, por është shumë e rëndësishme që të zgjidhet kryesuesi i KGJK-së. Nëse e shikojmë në retrospektivë mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë kuorumi. Dhe besoj thellë që ne, të gjithë anëtarët e KGJK-së, mbajmë përgjegjësi për dështimin e takimeve dhe komplet procesin për emërimin e kryesuesit të KGJK-së. Unë besoj që zgjedhja e kryesuesit duhet të jetë një aspekt krejtësisht meritokratik, sepse KGJK-ja është një organ kolegjial ku puna dhe proceset duhet të jenë transparente, votimi duhet të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas bindjes dhe vullnetit të lirë e të papandikuar votojnë për një kandidat”, tha Thaqi.
Sipas tij, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.
“Sot nuk po them asgjë të panjohur nëse zgjedhja e kryesuesit është një proces që i intereson jashtëzakonisht politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Por kjo nuk është çudi dhe kjo nuk është pengesë. Mirëpo është dhe do të jetë krejtësisht e panjohur, e paparë deri më tani dhe e papranueshme nëse ne, anëtarët e KGJK-së, sinkronizojmë veprimet me struktura politike apo grupe të interesit për të ndikuar jo vetëm në procesin e zgjedhjes së kryesuesit, por edhe në sigurimin dhe promovimin e pavarësisë së KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi. Për të qenë edhe më i qartë, sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së; çdo tendencë për të ndikuar anëtarët aktualë të KGJK-së, çdo tendencë për të favorizuar disa anëtarë të KGJK-së dhe njëkohësisht çdo tendencë e presionit nga brenda apo jashtë sistemit mbi anëtarët e KGJK-së”, u shpreh ai.
Anëtari Artan Abazi pati kritika ndaj mungesave të gjyqtarëve në takim.
Edhe
Dështon mbledhja për pozitën më të lartë në Gjyqësor, njëri kandidat alarmon për ndikim politik
“Secili anëtar i Këshillit Gjyqësor duhet të mbajë përgjegjësi, duhet ta dijë çfarë detyre ka marrë, duhet ta respektojë këtë detyrë, sepse nëse nuk e respekton, nënkuptohet se çka nënkupton mosrespektimi i detyrës zyrtare. Dhe çka më shtyn të mendoj kështu siç po them, është fakti që e-mail-i për mbledhjen e sotme është dërguar me 8 prill. Domethënë pesë ditë para se anëtari, gjyqtari Fahret Velija, të mungojë në mbledhjen e sotme, me 8 prill është bërë kërkesa për me u mbajt kjo mbledhje. Gjyqtari konkret, Fahret Velija, ka pritur pesë ditë për të na treguar neve 12 orë para takimit që: ‘unë nuk do të mund të marr pjesë sepse kam gjendje shëndetësore dhe jam jashtë vendit, në Shqipëri’”, Abazi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Sipas Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në pikën 6 përcaktohet se “Pozita e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditëve, prej ditës që këto pozita mbeten të lira“.