Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Në mungesë kuorumi, për të dytën herë nuk shqyrtohen dorëheqjet e gjyqtarëve serbë

KGJK

Foto: EO

Këshilli Gjyqësor ka dështuar t’i trajtojë dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të veriut, të dhëna rreth katër vjet më parë. Ngjashëm si më 24 korrik, mbledhja ka dështuar në mungesë kuorumi. Kryesuesi i KGJK-së ka thënë se katër nga anëtarët e kanë arsyetuar mungesën përmes emailit, ndërsa Ivana Milenkoviq, nuk ka dhënë arsye për mungesën

Në mungesë kuorumi ka dështuar edhe të premten të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor, që në rend dite ka të planifikuar edhe shqyrtimin e kërkesës së Ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për t’i trajtuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të deponuara në fund të 2022-s, si edhe njoftimin e gjyqtarëve për tërheqjen e këtyre dorëheqjeve.

Çështjet që patën nxitur përplasje mes anëtarëve, nuk u trajtuan as në takimin e 24 korrikut, po për shkakun e mungesës së kuorumit.

Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaçi, tha se mbledhjet nuk duhet të bojkotohen për shkak të interesave të anëtarëve.

“Natyra e punës së Këshillit lejon diskutimin dhe debatin, por nuk mund të lejohet bojkotimi i mbledhjeve për shkak të interesave. Sjellja e tilla e dëmtojnë rëndë reputacionin e gjyqësorit dhe përgjegjësitë që ka ky institucion i pavarur, për administrimin e gjyqësorit”, ka thënë ai.

Kryesuesi Thaçi ka thënë se katër nga anëtarët e Këshillit kanë arsyetuar mungesën përmes emailit, ndërsa Ivana Milenkoviq, nuk ka dhënë arsye për mungesën.

Edhe Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor ku pritej vendimi për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë Arbëri Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor ku pritej vendimi për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë

Thaçi theksoi se nëpërmjet pamundësimit të kuorumit, po jepet shembulli më i keq në raport me gjyqësorin dhe në raport me qytetarët.

Haxhiu, por edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë kërkuar nga Këshilli të miratojnë dorëheqjet e gjyqtarëve serbe. Por, të kundërtën e kanë kërkuar ndërkombëtarët. Sipas tyre, gjyqtarët dhe prokurorët serbë të dorëhequr në fund të 2022-s, duhet të rikthehen në institucione.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar diskutimi edhe për çështje të tjera, por në mungesë të anëtarëve të mjaftueshëm të Këshillit ato nuk janë shqyrtuar.

Kryesuesi Thaçi ka thënë se mosfunksionalizimi i trupave brenda këtij institucioni jo vetëm që pamundëson ushtrimin e përgjegjësive, por pamundëson edhe punën e Sekretariatit.

“Mosfunksionalizimi i trupave brenda këshillit jo vetëm që pamundëson ushtrimin e përgjegjësive nga ky institucion, por njëkohësisht pamundëson edhe punën e Sekretariatit. Andaj qasja jonë duhet të jetë, serioze dhe transparente. Në këtë organ nuk mund të lejohet bojkoti, sepse vendimmarrja është kolegjiale”, ka thënë Thaçi.

Edhe Përplasje në KGJK për dorëheqjet e serbëve LAJMET E MBRËMJES Përplasje në KGJK për dorëheqjet e serbëve

Prezent gjatë mbledhjes ishte edhe ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

Më shumë se një muaj më parë, Haxhiu i ka shkruar KGJK-së dhe KPK-së, duke kërkuar që t’u jepet epilog dorëheqjeve të gjyqtarëve e prokurorëve serbë në veri.

Më pas prokurorët dhe gjyqtarët u shkruan këshillave, duke thënë se kanë tërhequr dorëheqjet.

Por, Këshilli Prokurorial ka vendosur që marrëdhënia e punës t’u ndërpritet atyre dhe vendimi është dekretuar nga Haxhiu.

Edhe Tre anëtarë lëshojnë sallën, dështon mbledhja e KGJK-së Arbëri Tre anëtarë lëshojnë sallën, dështon mbledhja e KGJK-së

Prokurorë, gjyqtarë, policë e kryetarë të komunave në veri patën dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, si shenjë revolte ndaj vendimeve të Qeverisë për ta shtrirë autoritetin kushtetues në këtë pjesë.

Derisa dorëheqjet e policëve ishin pranuar, ato të prokurorëve e gjyqtarëve janë lënë pezull deri tash.