Në mungesë të një anëtari ka dështuar për herë të tretë mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku parashihej të zgjidhej kryesuesi i këtij institucioni. Monitorues të sistemit të drejtësisë e kanë kritikuar dështimin e mbledhjeve duke thënë se nuk janë prezantuar dokumente që tregojnë se anëtarët mungojnë për arsye shëndetësore.
Për të tretën herë rresht ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor, që në rend dite ka pasur zgjedhjen e kryesuesit të ri.
Vetë gjyqtari Besnik Bislimaj, i cili synon pozitën më të lartë në Gjyqësor, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, që sipas zëvendëskryesueses së KGJK-së, Arijeta Sadiku, mungoi për arsye shëndetësore.
“Kemi pranuar një email nga gjyqtari Besnik Bislimaj se ai nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit dhe deri më 24 prill për shkaqe shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet, andaj edhe mbledhja e sotme nuk mund të mbahet”, ka bërë të ditur Sadiku.
Kundërkandidat për këtë pozitë, gjyqtari i Gjykatës së Apelit e ka Rrustem Thaqin, që mban pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Supreme.
Dështimin e mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor e ka kritikuar hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi.
Edhe
Kandidatë të vjetër në konkursin e ri për kryesues të KGJK-së
“Me një dështim të njëpasnjëshëm, ku mungon herë njëri anëtar e herë tjetri për arsye shëndetësore, siç është thënë nga ana e tyre. Të paktën është thënë për arsye shëndetësore, por të paktën ne nuk kemi parë dokumente konkrete që tregojnë se mungojnë për arsye shëndetësore dhe kanë arsye përkatëse shëndetësore, cenon besueshmërinë e publikut në këtë institucion”, ka thënë Flamur Kabashi, hulumtues në IKD.
Kabashi thotë se dështimet e mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor bëhen edhe në kohën kur këtij institucioni pritet t’i shtohen edhe anëtarët e tjerë të përzgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.
“Një formë e dështimit të tillë, në kohën kur i kemi në proces përzgjedhjen e tre anëtarëve që vijnë nga Kuvendi, jep me kuptu që po pritet të vijnë tre anëtarë nga Kuvendi i Kosovës dhe pastaj të bëhet zgjedhja e kryesuesit. Pra me njëfarë forme, dështimi i tretë radhazi, në anën tjetër po zhvillohet procesi pranë Kuvendit, mirëpo një qasje e tillë është tërësisht e papranueshme dhe e gabueshme”, është shprehur ai.
Njëri prej kandidatëve për kryesues të KGJK-së, Rrustem Thaqi, në mbledhjen e kaluar, e cila dështoi për mungesë kuorumi pati thënë se pamundësimi i kuorumit është i qëllimshëm dhe i koordinuar me struktura politike, me qëllim për ta dështuar vendimmarrjen.
Aktualisht këshilli ka 9 anëtarë, sa është edhe kuorumi.
Edhe
Rishpallet konkursi për kryesues të KGJK-së, kandidatët u ndan baras
KGJK-ja, sipas Kushtetutës, është e paraparë të ketë 13 anëtarë. Aktualisht ka nëntë, ndërkaq për tre të tjerë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, kurse për një anëtar nga radhët e gjyqësorit, respektivisht nga Gjykata Supreme, procesi i përzgjedhjes ka marrë rrugët gjyqësore.
Në mars të këtij viti Këshilli Gjyqësor shpalli konkurs për kryesuesin e ri.
Kryesues i Këshillit Gjyqësor ka qenë gjykatësi i Supremes, Albert Zogaj, të cilit i ka përfunduar mandati më 9 mars.