Këshilli Gjyqësor ka vendosur të rishpallë konkurs për kryesues, pasi dy kandidatët në garë morën rezultat të barabartë, në të dyja raundet e votimit. Secili mori nga pesë vota e një anëtari të KGJK-së iu shpall e pavlefshme vota
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dështuar për të katërtën herë ta zgjedhë kryesuesin e ri, ndonëse për dallim nga tentativat e tjera, të enjten ka pasur kuorum.
Gjyqtarët Besnik Bislimaj e Rrustem Thaqi, që kandiduan për pozitën më të lartë në Gjyqësor, në të dyja raundet e votimit morën vota të barabarta nga anëtarët e KGJK-së, pesë me pesë. E njëri prej anëtarëve i votoi që të dy.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZëvendëskryesuesja Arijeta Sadiku e shpalli të dështuar procesin e zgjedhjes dhe tha se do të rihapet konkursi i ri.
“Meqenëse asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e nevojshme për tu zgjedhur si kryesues i Këshillit, administrata obligohet që të publikojë konkursin e ri, afati do të jetë 15 ditë”, ka thënë ajo.
E para se të dështojë procesi i zgjedhjes, kandidati Besnik Bislimaj në fjalimin e tij tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur, transparent e të garantojë barazi për qytetarët.
“Pavarësia e Gjyqësorit është themeli i shtetit të së drejtës. Pa një gjyqësor të pavarur, nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë. Gjyqëtarët duhet të jenë të lirë, të vendosin vetëm në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe provave në procedurë. Asnjë faktor tjetër nuk duhet të ndikojë në vendimarrjen e tyre. Në këtë drejtim, si kryesues i Këshillit Gjyqësor do të angazhohem për mbrojtjen institucionale të gjyqtarëve nga çdo presion politik apo institucional”, ka thënë kandidati Bislimaj.
Para anëtarëve, objektivat i shprehu edhe kandidati tjetër për kryesues të KGJK-së, Rrustem Thaqi.
“Për reformën në drejtësi do të vazhdojmë të përfshijmë në mënyrë intensive, në përfundim të procesit të reformës dhe në dhënien e përgatitjen për zbatimin e reformës pas miratimit e reformës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë kandidati Thaqi.
Para kësaj mbledhjeje, në mungesë kuorumi, tri herë radhazi ka dështuar të mbahet mbledhja për zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së.
Aktualisht këshilli ka 11 anëtarë.
Në mars të këtij viti, Këshilli Gjyqësor shpalli konkurs për kryesuesin e ri, pasi mandati i përfundoi Albert Zogajt.