TEMPUS

Zogaj: Zbatimi i Ligjit të Pagave është pa alternativë, në të kundërtën ka pasoja të dyfishta

Albert Zogaj

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se Kuvendi i Kosovës duhet të trajtojë çështjen e zyrtarëve publikë pa alternativë në mënyrë që të evitohen paditë, ngase gjyqësori nuk ka mundësi të përballojë fluksin e padive.

I ftuar në një intervistë në “Tempus” në KTV, Zogaj duke folur për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në të cilin Kuvendi obligohej që ta kthente shtesën prej 0.5%, e cila ishte ulur në 0.25%, tha se shembulli më i mirë për efektet negative të padive të tilla janë rastet me kontratat kolektive.

“Nëse nuk do të kemi një reflektim të shpejtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mendoj se është sjellje e paalternativë, absolutisht pa alternativë, atëherë do të kemi një shembull ose situatë të dytë, diçka të ngjashme me kontratat kolektive, por me efekt të dublifikuar- negativ, për shkak se kërkesat do të jenë periodike, derisa realisht të miratohet ligji. Dhe efekti i parandalimit të kësaj situate nga sistemi gjyqësor do të jetë krejtësisht i pamundur, sepse ne nuk kemi mundësi me i parandalu”, tha Zogaj.

Ai theksoi se kanë marrë vendim që të gjitha këto raste të regjistrohen vetëm në mënyrë fizike.
Zogaj tha se kjo çështje duhet të jetë ndër të parat me të cilat duhet të merret Kuvendi pas konstituimit, kurse theksoi se ky institucion duhet të jetë shembull i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
 


“Ka raste kur gjyqtari intervistohet nga Polica apo Prokuroria për vendimmarrje, kjo është e papranueshme”

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka ngritur shqetësimin për raste kur gjyqtarët intervistohen nga organet e rendit në lidhje me vendimet që kanë marrë, duke e cilësuar këtë si një ndër cenimet më të rënda të pavarësisë së gjyqësorit.

“Kemi sfida të tjera që nuk i kemi thënë publike. Po e them një, nëse sot intervistohet një gjyqtar qoftë te prokurori, qoftë te polici me urdhër të prokurorit dhe situatën kur vendimi i gjyqtarit është thjesht përgjegjësi e gjyqtarit, intervista mbi vendimmarrjen – kjo është krejtësisht e papranueshme. Ka raste të tilla definitivisht, absolutisht, pra ka situata ku gjyqtari intervistohet në polici ose te prokurori për vendimmarrjen. Është cenimi më i rëndë që mund t’i bëhet detyrës së gjyqtarit. Definitivisht, ne i fitojmë që me hetu secilin në momentin kur ka vendim të kundërligjshëm, por kur vendimi i përmbush kriteret për të qenë i kundërshtueshëm, është favorizues ndaj dikujt apo ka përfitu gjyqtari. Jo veç pse ka një kallëzim penal ndaj gjyqtarit, intervistohet gjyqtari. Kjo e dekurajon gjyqtarin dhe krijon pasiguri tek ai, pa përjashtu edhe rastet e tjera që mund të jetë koncept i cenimit të pavarësisë së gjyqtarit”, deklaroi Zogaj në “Tempus“.

Në lidhje me bashkëpunimin me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zogaj tha se marrëdhënia është pozitive, por ende ka vend për përmirësim.

“Ne me KPK kemi një bashkëpunim të mirë, por për çështje që kemi për ndërveprim e besoj që kemi hapësirë më shumë për bashkëpunim. Pra, nëse akoma kemi sot raste në gjykata kur seanca dështon për shkak të mospjesëmarrjes së prokurorit, tregon që bashkëpunimi i kryetarit të gjykatës dhe kryeprokurorit nuk ka qenë në nivel të duhur. Në qoftë se ne kemi sfida të përbashkëta të adresueshme në raport të progresit dhe nuk kemi pasur takime të mjaftueshme, kjo tregon që definitivisht akoma ka hapësirë.”
 


Zogaj: Me një proces transparent, i kemi siguruar gjyqësorit gjyqtarët më të mirë

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në një intervistë në emisionin “Tempus”, ka folur për procesin e rekrutimit të gjyqtarëve dhe rëndësinë e transparencës në këtë drejtim.

“Sistemi që ne kemi ndërtu për rekrutimin te gjyqtarëve, por edhe bashkëpunëtorëve, por edhe administratës është proces i vështirë. Por, në një procedurë konkurruese me kritere të qarta të meritokracisë dhe standarde të plota transparence ia kemi siguru sistemit gjyqësor gjyqtarët më të mirë dhe jam shumë i lumtur që me konfirmu kemi zgjedh 150 gjyqtarë dhe në mars të vitit tjetër t’i zgjedhim edhe 50 nëse ka siguri”, tha Zogaj.

Ai shtoi se ka ende vende të lira për gjyqtarë, mirëpo theksoi rëndësinë e cilësisë në përzgjedhje.

“Mbesin vende të lira për gjyqtarë nëse nuk ka konkurs, sepse gjyqtarët janë të destinuar që të punojnë për 30 vite në sistem dhe më mirë të mbesin vende të lira për 1 vit ose 2, 6 muaj sesa me u zgjedh me kritere të ulëta të konkurrencës dhe dijes. Sepse dija dhe shkathtësia gjyqësore ndërtohet dhe ne maturohemi të gjithë brenda sistemit, por duhet një nivel profesional dhe i dijes”, tha Zogaj.

Ai vlerësoi se përzgjedhja e gjyqtarëve të rinj është bërë pa ndikim dhe me fokus në aftësinë dhe përgatitjen e tyre.

“Absolutisht, kur krahasohemi me vende të tjera ka gjyqtarë që kërkojnë gjyqtarë me një moshë, kërkojnë pjekuri, maturi, gatishmëri për t’u dëgjuar. Ne nuk e kemi pas këtë mundësi sepse qëllimi ynë ka qenë me zgjedh gjyqtarë transparent dhe nuk janë peng i askujt. Zgjedhjet e tyre janë kontribut i punës tyre dhe shkathësisë së tyre në proces dhe duhet të kemi gatishmërinë për t’i prit me u maturu sepse nuk ndërtohesh gjyqësor për 1 ditë ose 1 vit”, shtoi Zogaj.

Po ashtu, ai tha se gjyqtarët e rinj paraqesin potencial të fuqishëm për të ardhmen e gjyqësorit.

“Ajo që është e pakrahasueshme: gjyqtarët e rinj janë të mirë se na, dhe janë potencial më i fuqishëm dhe kjo është një shpresë shumë e madhe për gjyqësorin. Por, konsistenca në standarde dhe në monitorim duhet të jetë i pashmangshëm tani e tutje. Puna e jotja është e observuar në periudha ditore”, përfundoi Zogaj.



Zogaj: 164 % shkalla e efikasitetit në civile në tremujorin e parë të këtij viti, ka zvogëlim të rasteve të vjetra

 

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se në tremujorin e parë të këtij viti kanë lajme të mira në nivel të të gjitha gjykatave, pasi shkalla e efikasitetit në gjykata është 107% gjatë kësaj periudhe, që nënkupton se janë përfunduar mbi 40 mijë dosje.

Po ashtu, lajm i këtitj tremujori është se për herë të parë në 24 vite të gjyqësorit, shkalla e efikasitetit është në 164 %, e cila paraqët një progres të jashtëzaknoshëm.

“Kemi pranuar diku 9 mijë e 400 dosje dhe kemi përfunduar mbi 15 mijë e 500 raste në procedurë civile dhe kjo është një lajm jashtëzakonisht i mirë, pasi që performanca ka njohur trende shumë pozitive në këtë periudhë”, tha Zogaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai tha se nëse nuk do të përballen me ndonjë situatë të jashtëzakonshme, ky vit do të jetë viti më i mirë i gjyqësorit në kuptimin e përmbushjes së standardeve në trajtimin e rasteve të backlogut.

Zogaj tha se këto ditë do të ketë një publikim pasi që ka zvogëlim edhe të numrit të lëndëve të vjetra, që sipas kritereve të KGJK-së ka lëndë që e plotëson periudhën kohore 2 vite ku konsiderohet si lëndë e vjetër dhe kjo tregon se ka një reagim të përgjithshëm të secilës zyrës nëpër gjykata dhe trendi është shumë pozitiv.

“Secila gjykatë themelore ka performuar në nivel mbi 100 %, nga 107 deri 145 % i kemi performancën e secilës gjykatë në këtë tremujor që krahasur me vitin e mëparshëm tregon shumë rezultat”, tha Zogaj.

Gjithashtu, ai tha se mesatarja e lëndëve të zgjidhura për gjyqtar është në 39 lëndë për muaj dhe kjo është jashtëzakonshme.

Ai tha se sipas trendit në vit pranohen diku 20 mijë raste, por që nga viti 2021 deri në fund të vitit 2024 ka ndodhur situatë krejtësisht tjetër që e ka trefishuar apo katërfishuar numrin e lëndëve që janë pranuar vetëm në procedurë konstestimore pa përjashtuar edhe procedurën përmbarimore.

“Vetëm në vitin e kaluar kemi pasur diku 64 mijë raste në procedurë kontestimore që është mbi trefishi i periudhës së zakonshme, në vitin 2024 mbi 80 mijë raste është katërfishuar për shkak të kontratës kolektive”, tha Zogaj.

Ndërsa, tha se në fushat tjera, në penale numri i rasteve që pranohen në vit është 10 deri 12 mijë është mesatarja, kurse në krime të rënda është mbi 1 mijë, në administrative është dyfishuar vitin e kaluar numri i rasteve për shkak të pensioneve të dyfishta.
 


Zogaj: Kontratat kolektive kanë qenë goditja më e madhe e gjyqësorit

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kontratat Kolektive kanë shkaktuar një ngarkesë të jashtëzakonshme në sistemin gjyqësor, duke e cilësuar këtë si goditjen më të madhe që ka përjetuar gjyqësori në vitet e fundit.

“Për shkak se Kontrata Kolektive, ka qenë realisht goditja më serioze që e ka gjyqësori, por për fat të mirë kemi ndjek një trend të organizuar të gjykatave dhe vitin e kaluar kemi përfundu 82 mijë raste në procedurën kontestimore që është katërfishi i periudhës së zakonshme të performancës së gjykatave në procedurën kontestimore”, tha Zogaj.

Ai tha se është llogaritë që në departemente të tjera pranohen më pak lëndë, por tani për shkak të pensioneve të dyfishta është rritur numri i rasteve.

“Edhe pse tash janë pranu paditë e reja për provë përvojën e punës dhe ende nuk kemi siguri sa do të jetë numri i këtyre rasteve. Në fusha të tjera, në penale, numri i rasteve që pranohen janë 10-12 mijë, është ajo mesatarja. Në krime të rënda është 1 mijë e disa raste. Në administrative është dyfishu vitin e kaluar për shkak të pensioneve të dyfishta, e situatave tjera”, theksoi ai.

Zogaj shtoi se periudha e pandemisë ka pas një efekt negativ sepse kishte rënë niveli i punës së gjykatës dhe pas pandemisë janë përballë me një numër të madh të rasteve.

“Por, duke parë numrin e madh të rasteve, në parim gjykatat e shkallës së parë kanë materie për afërsisht 1 vit e gjysmë – përafërsisht 2 vjet, që nënkupton se nëse trendi fillon të bie, siç ka rënë në tremujorin e parë, jemi në rrugë të shkurtimit të qëndrimit të lëndëve në dy vitet e ardhshme në procedurën civile”, përfundoi ai.
 


Kryesuesi i KGJK-së: Kemi prioritizuar rastet e gazetarëve, dënimet janë të ulëta

 

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjyqësori ka prioritizuar rastet e gazetarëve, megjithatë sipas tij politika ndëshkimore në penale është e butë.

Duke folur për raportin e Reporterëve pa Kufij lidhur me indeksin botëror të lirisë së shtypit, në të cilin Kosova është ranguar në pozitën e 99-të, Zogaj tha se ky raport përbën njërin prej lajmeve më të këqija për Republikën e Kosovës.

“Nuk kam ndërmend me përjashtu as përgjegjësinë e sistemit gjyqësor në këtë pjesë, por sigurisht që kjo nënkupton që duhet të kishim një reflektim të përgjithshëm të këtij raporti për shkak se më duket që liria e medias është një prej parametrave për me mat nivelin e zhvillimit të demokracisë në një vend dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, ky raport përfaqëson një alarm edhe për sektorin e drejtësisë në përgjithësi, por edhe për gjyqësorin”, tha Zogaj.
I pari i KGJK-së tha se vitet e fundit kanë ndërmarrë veprime për të adresuar në mënyrë të duhur rastet e gazetarëve, si në penale ashtu edhe në rastet kur ka padi në tendencë për të penguar punën e gazetarëve- siç njihen paditë SLAPP.

“KGJK-ja me Strategjinë për Qasje në Drejtësi ka prioritizuar këto raste. Në qoftëse e shikojmë me shifra, ne sot kemi diku mbi 600 raste të fyerjeve dhe shpifjeve, ku bëjnë pjesë edhe rastet e gazetarëve”, tha Zogaj.

Ai tha se këto raste po trajtohen me profesionalizëm të lartë. Tha se gjatë trajtimit të këtyre rasteve duhet të krijohet standard të sjelljes dhe se ato raste duhet të trajtohen në afat rekord.
Por, ai tha se politika ndëshkimore në penale është e ulët, por që sipas tij, politika ndëshkimore nuk mund të ndryshojë për një ditë.