Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus”, në KTV tha se mbingarkesa me lëndë e ka dëmtuar cilësinë e vendimmarrjes.
Zogaj tha se për cilësinë e vendimeve gjyqësore, do të jetë i detyruar gjyqtari ta rrisë kujdesin mbi vendimin sepse i njëjti do t’i nënshtrohet vlerësimit për përformancë, dhe fati i tij do të vendoset nga cilësia e vendimit të tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjithashtu, ai shtoi se gjyqtarët duhet të shkarkohen nga mbingarkesa e lëndëve, duke shtuar se mbingarkesa në sistem krahas asaj se ka ndikuar që të ketë një lloj uniformiteti në veprime për shkak të kontratave kolektive, e ka dëmtuar shumë cilësinë e vendimmarrjes.
Zogaj tha se gradualisht duhet të konsolidohet standardi i praktikës që është lehtësi në vendimmarrje, ashtu që të jetë drejtësia e parashikueshme.
“Në vitin 2021 sistemi gjyqësor ka pranuar rreth 60 mijë dosje ndërsa në vitin 2025 ka pranuar 104 mijë dosje që janë rreth 30 mijë dosje më pak se më 2024, por që në njëjtën kohë ne kemi dyfishuar produktivitetin nga 60% në 121% respektivisht në 108% të të gjitha gjykatave”, ka thënë Zogaj.
Ai tha se vetëm në fillim të muajit mars, shkalla e efikasitetit të gjykatave është edhe më e lartë se sa në vitin 2025, çka do të thotë se po adresohet backlog-u.
Zogaj për kritikat ndaj udhëheqjes së KGJK-së: Është me rëndësi që pikëpamjet të mos përmbajnë spekulime
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se është me rëndësi që pikëpamje e shprehur në mënyrë publike të jetë brenda standardit të etikës gjyqësore dhe të mospërmbajë spekulime.
Këtë deklarim, Zogaj e bëri në “Tempus” në KTV kur u pyet për kritikat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit, rreth mënyrës së si është udhëhequr Këshilli dhe kritikat për lobime e ndërhyrje në proces të zgjedhjes së anëtarëve.
“Është tepër me rëndësi që çdo pikëpamje që shprehet publike të jetë benda standardit të etikës gjyqësore, të mos përmbajë masa ose dozë spekulative”, tha Zogaj.
Por, ai shtoi se nuk ka parë fjalime e kandidatëve, vetëm fragmente të fjalimeve të tyre. Tha se gjyqtarja Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni, janë gjyqtarë të respektuar të Supremes.
“Më vjen keq nëse dikush e ka parë si garë me mua për anëtarë të Këshillit, ndërkohë që unë nuk kam qenë në garë, pasi që mandati im vetëm se po përfundon, megjithatë janë çështje individuale”, ka thënë Zogaj.
Zogaj tha se për 5 vite është angazhuar që secili gjyqtar në sistemin gjyqësor të ketë pavarësi të plotë në vendimmarrje, duke shtuar se qëllimi ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë drejtësia e parashikuar.
Ai se uron që pasuesit, përkatësisht Këshilli aktual ta bëjë punën më mirë sesa Këshilli që po e përfundon mandatin.
Zogaj: E mora mandatin me 61% efikasitet në gjykata, po e dorëzoj me 121%
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, foli për bilancin e punës së tij gjatë mandatit në krye të KGJK-së. Ai tha se mandatin e filloi me 61% efikasitet në gjyqësor, ndërkaq po e dorëzon me 121%.
Në ditën e fundit të mandatit të tij, Zogaj përmendi sukseset dhe sfidat me të cilat u përball gjatë mandatit.
“Ka qenë krejtësisht sfiduese, me problematika, por njëkohësisht edhe me shumë rezultate”, tha Zogaj.
Gjatë këtij mandati 5-vjeçar, Zogaj tha se është i dukshëm dhe i matshëm çdo ndryshim që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Tha se janë punësuar 996 persona nga jashtë gjyqësorit dhe ka mbi 400 avancime.
Sipas tij, gjyqësorit i ndodhi një transformim rrënjësor, ndërsa shtoi janë në proces renovimet e disa objekteve të gjykatave. Po ashtu, theksoi se është themeluar Gjykata Komerciale dhe ajo Administrative.
Zogaj tha se është rritur numri i gjyqtarëve të rinj, si dhe përmendi punën me partnerët.
“Gjyqësori ka identitet shumë të fuqishëm sot. Ka potencial të jashtëzakonshëm për të mbrojtur pavarësinë e sistemit gjyqësor. Po e rrit vetvetiu nga brenda llogaridhënien”, tha Zogaj, duke shtuar se është rritur transparenca.
Kryesuesi i KGJK-së tha se është rritur efikasiteti i gjykatave gjatë mandatit të tij dhe është dyfishuar numri i lëndëve të përfunduara.
“Ne e morëm me 61% efikasitet të gjykatave dhe po e dorëzojmë mandatin me 121%, respektivisht 108% në nivel të gjykatave- që është rritur 100% niveli i efikasitetit”, tha Zogaj.
Sipas tij, KGJK-ja këto vite e ka rritur edhe nivelin e paraqitjes. Tha se Këshilli duhet të monitorojë politikat e saj të administrimit të gjyqësorit, kurse gjykatat janë zbatuesi i tyre.
Zogaj: Nëse sjellja e gjyqtarit varet nga figura që ka përballë, veç drejtësi nuk është
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nëse sjellja e gjyqtarit varet nga figura që ka përballë, atëherë ajo veç drejtësi nuk është.
Zogaj tha se patjetër që një gjyqtar mund t’i nënshtrohet edhe një sulmi publik të portaleve e mediave, nëse ka një rast mediatik, por kjo nuk do të thotë se duhet të ulen kriteret e integritetit të gjykimit- përkundrazi duhet të rritet niveli i integritetit të gjykimit në rastet kur observimi publik është më i lartë.
“Ditën që sjellja jonë si gjyqtarë varet nga figura e atij që kemi përballë, veç drejtësi nuk është”, tha Zogaj.
Ndërsa, sa i përket llogaridhënies së gjyqtarëve, Zogaj tha se në një sistem normal, çështja e orarit të punës së gjyqtarëve nuk do të duhej të diskutohej
“Më vjen keq, në cilindo kapacitet që ndodhemi, që në vitin 2026 të flasim ende për orarin e punës ndërkohë që ka gjyqtarë që punojnë 12 orë në ditë” , theksoi Zogaj.
Zogaj: Nga disa prej institucioneve ka pasur sjellje indiferente ndaj detyrave që dilnin nga SSL
I ftuar në emisionin “Tempus" në KTV, Albert Zogaj kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se nga disa prej institucioneve ka pasur sjellje indiferente ndaj detyrave që dilnin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit (SSL).
“Më duhet me thanë se nga disa prej institucioneve ka pas një sjellje krejtësisht indiferente nga detyrat që gjeneroheshin nga Strategjia e Sundimit të Ligjit, ndërkaq KGJK e them me përgjegjësi se bazuar edhe në raporte se ka pasur përkushtimin maksimal në zbatimin e tërësishëm të kësaj Strategjie”, tha Zogaj.
Më tutje, Zogaj foli për rëndësinë që ka pasur Strategjia për Sundimin e Ligjit.
“Roli dhe rëndësia e kësaj Strategjie ka qenë që veprimet duhej të ishin të koordinuara dhe të njohura për insitucionet dhe nuk është zbatu në vitin 2024 dhe 2025, dhe shpresoj se do të funksionalizohet”, shtoi Zogaj.
Zogaj: Nuk kemi bazë ligjore ta shkarkojmë nga detyra një gjyqtar për shkak të performancës
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se nuk kanë bazë ligjore ta shkarkojmë nga detyra një gjyqtar për shkak të performancës.
I ftuar në “Tempus“ në KTV, Zogaj tha se ka shumë raste disiplinore ndaj gjyqtarëve, të iniciuara në Këshill Gjyqësor.
“Deri në miratimin e ligjit që flet për prezencën e performancës, ne nuk kemi bazë ligjore për shkarkimin e gjyqtarit për shkak të performancës- kemi bazë ligjore me fillu dhe me kërku nëse ka dështim të vazdhueshëm, por kryesisht dështim i një rasti që përbën shkelje disiplinore por jo vlerësimi i performancës dhe se pavarësisht se vijmë nga gjyqësori e përkrahim idenë e shkarkimit të gjyqtarit për shkak të performancës”, tha Zogaj.
Sipas tij, vetë fakti që një gjyqtari i shqiptohet një vërejtje- qoftë ajo jopublike, tregon që është masë që ka peshë të lartë.
Zogaj: E vetmja mënyrë që drejtësia me qenë apolitike është që politikanët të qëndrojnë larg saj
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se e vetmja mënyrë që drejtësia me qenë apolitike është që politikanët të qëndrojnë larg saj.
“Është një logjikë e thjeshtë, e gjithë politika pa përjashtim këtu kur flasin për drejtësi flasim për drejtësi pa politikë, e vetmja mënyrë me realizuar drejtësi pa politikë, është që pikërisht ata që thirren në këtë maksimë me qëndru larg nga drejtësia, kaq e thjeshtë është”, tha Zogaj.
Më tutje, Zogaj theksoi se çdo tendencë për ndërhyrje lë gjurmë.
“Nëse të gjitha partitë politike e provojnë me zë të lartë pavarësinë e gjyqësorit pa politikë, do duhej të rrini larg nga drejtësia dhe drejtësia nuk do të ishte politike, dhe mos të harrojmë se secila përpjekje për ndërprerje nga nismat ligjore e deri te rastet individuale lë gjurmë”, tha ai.