Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rritet presioni ndaj KGJK-së për të rishikuar rregulloren për taksat

kgjk

Avokati i Popullit dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë kërkuar rishqyrtim të sistemit të taksave gjyqësore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për siç thonë, të mos ndikojnë në qasjen e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në IKD kanë theksuar se Këshilli nuk ka pasur nevojë buxhetore për ngritje të këtyre taksave, e KGJK-ja është arsyetuar pikërisht me mungesë të buxhetit

Pas opinionit nga Avokati i Popullit (AIP) për rishqyrtim të taksave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke paralajmëruar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen e qytetarëve në drejtësi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi janë pajtuar me kërkesën nga AIP-ja.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, vlerëson se KGJK-ja nuk ka pasur nevojë buxhetore për ngritje të taksave dhe se ky udhëzim duhet të rishqyrtohet.

“Në anën tjetër, pjesa më e madhe e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe sistemit gjyqësor të Kosovës, mbulohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, i cili mbushet me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe përderisa KGJK-ja nuk ka pasur një nevojë buxhetore për ta mbuluar një hapësirë buxhetore përmes taksave gjyqësore, definitivisht se kjo ka qenë e nevojshme dhe joproporcionale dhe që definitivisht ky udhëzim administrativ duhet të rishikohet në kuptim të lartësisë, përpos taksave që ka përcaktuar për ushtrimin e parashtresave të ndryshme”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se rritja e taksave në sistemin e drejtësisë rrezikon të drejtën e qytetarëve për qasje në drejtësi për shkak të taksave.

Por, kryetari i Këshillit, Rrustem Thaqi, ka thënë se ky institucion i pavarur është në gjendje të vështirë buxhetore.

Edhe Avokati i Popullit kërkon që KGJK-ja ta rishqyrtojë rritjen e taksave gjyqësore Arbëri Avokati i Popullit kërkon që KGJK-ja ta rishqyrtojë rritjen e taksave gjyqësore

“Duhet të nënvizoj një fakt se Këshilli Gjyqësor prej themelimit të këtij institucioni asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të vështirë në mungesën e buxhetit. Dhe këtë e kemi bërë të ditur në të gjitha institucionet përkatëse me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë”, ka deklaruar Thaqi.

Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar rishqyrtim të taksave lidhur me buxhetin e KGJK-së.

Në opinionin për Udhëzimin Administrativ thuhet se taksat e reja, pagesat shtesë për mjetet juridike dhe pasojat e mospagesës mund të kenë efekte disproporcionale, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga përjashtimi ose ndihma juridike falas.

“Në këtë drejtim, rritja e konsiderueshme e taksave gjyqësore, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre mund të krijojnë barriera financiare disproporcionale, të cilat dekurajojnë inicimin dhe zhvillimin e procedurave gjyqësore. Veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit ose nga ndihma juridike falas. Në dritën e standardeve të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ekziston rrezik real që, në formën aktuale, dispozitat e UA nr.03/2025 të prodhojnë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi”, kanë thënë nga AIP-ja.

Edhe Qelaj i shqetësuar për rritjen e taksave gjyqësore: S’duhet të bëhen pengesë për qasjen në drejtësi Arbëri Qelaj i shqetësuar për rritjen e taksave gjyqësore: S’duhet të bëhen pengesë për qasjen në drejtësi

Sipas sistemit të ri, taksa për paditë deri në 5 mijë euro është 60 euro, ndërsa për kontestet nga 50 mijë deri në 100 mijë euro është rritur nga 150 në 300 euro. 

Rezana Bozhlani