Vetëm gjatë vitit 2025, Këshilli Gjyqësor i ka shpenzuar rreth 900 mijë euro për kompensimin e dëmeve ndaj personave që padrejtësisht janë privuar nga liria. Sipas juristëve, ngritja e aktakuzave pa prova të mjaftueshme ndikon në aktgjykime liruese. Për një vit, u shpallën 577 aktgjykime të këtilla.
Rreth 900 mijë euro (889,852.35) i ka shpenzuar Këshilli Gjyqësor, vetëm gjatë vitit 2025 për kompensimin e dëmit për personat që pa bazë janë privuar nga liria.
Sipas Këshillit, në këtë shumë është e përfshirë edhe kostoja prej 250 mijë eurosh për ekzekutim të vendimeve nga Thesari.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë KGJK thanë se për këtë kanë kërkuar buxhet shtesë nga Ministria e Financave.
“Me Ligjin e buxhetit për vitin 2025 për kompensimin e personave të dënuar dhe të arrestuar pa arsye janë ndarë 500,000.00 €. KGjK-ja në vazhdimësi ka kërkuar buxhet shtesë nga buxheti i shtetit si dhe ndarje/transfere nga kategoritë e tjera ekonomike nga buxheti i KGjK-së. Me kërkesën buxhetore për vitin 2025, KGjK-ja ka kërkuar buxhet shtesë prej 1,100,000.00 € për këtë kategori”, ka thënë KGJK-ja.
Sipas KGJK-së, në mungesë të buxhetit, detyrohen të bëjnë transfere të brendshme nga kategoritë e tjera ekonomike.
Juristi Anton Nrecaj thotë se ngritja e aktakuzave pa prova të mjaftueshme, përcillet me aktgjykim lirues për personat e privuar nga liria, e të cilët pastaj duhen kompensuar.
“Prokuroria nuk duhet të ngrejë aktakuzë mbi dyshime apo perceptime politike, por kur ekziston një standard i mjaftueshëm provash që krijon dyshime të bazuara se personi ka kryer veprën penale. Kjo nënkupton që provat duhet të jenë të ligjshme, të besueshme, të mjaftueshme për të kaluar rastin në gjykim. Aktakuzat kërkojnë të njëjtin nivel të provës, si dënimin penal po ashtu edhe në bazë reale, që rasti mund të provohet përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka thënë Nrecaj.
Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial, në vitin e shkuar, secilën ditë, mesatarisht janë shpallur nga dy aktgjykime liruese. Numri më i madh i aktakuzave të rrëzuara i përket Departamentit të Përgjithshëm.
“Nga të dhënat rezulton se aktgjykime liruese janë si vijon: Departamenti i Përgjithshëm – 321, Departamenti i Krimeve të Rënda – 208, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – 48. Gjithsej: Aktgjykime liruese – 577”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.
Juristi Nrecaj thotë se numri i madh i aktgjykimeve liruese ndikon në besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ka shtruar nevojën për një numër masash.
“Këto situata shkaktojnë jo vetëm probleme në sistemin e drejtësisë, por që nga ana tjetër ngrisin dyshimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, ku krijohet ajo ndjenja se sistemi i drejtësisë nuk po vepron me profesionalizëm dhe me prova të forta. Duhet të bëhët një vlerësim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, sepse vlerësimi duhet të fokusohet në tri çështje, në vlerësimin profesional të punës së prokurorëve, kontroll më të fortë të cilësisë së aktakuzave të cilat i ngrenë prokurorët dhe afate të arsyeshme procedurale të shqyrtimit të rasteve nga ana e Prokurorisë”, u shpreh Nrecaj.
Në Këshillin Prokurorial thonë se aktgjykimet liruese në shkallë të parë, nuk janë tregues i saktë për cilësinë e aktakuzave.
“Ka pastaj prej tyre që në Apel kthehen në vendime dënuese apo ka edhe të tilla mbi dhjetë raste që edhe pse në të dy shkallët, vendimet kanë qenë liruese, rastet e tilla kanë përfunduar me kërkesë të prokurorisë për mjet të jashtëzakonshëm “Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme” e cila ka konstatuar se ligji është shkelur nga gjykata e shkallës së parë dhe të dytë në favor të të akuzuarit me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit lirues”.
Buxheti i ndarë për vitin 2026, për kompensimin e personave të liruar nga akuzat ose të paraburgosur padrejtësisht është 500 mijë euro. E, Këshilli Gjyqësor ka kërkuar më shumë se dyfishin e kësaj shume.