Avokati i Popullit dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë kërkuar rishqyrtim të sistemit të taksave gjyqësore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për siç thonë, të mos ndikojnë në qasjen e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në IKD kanë theksuar se Këshilli nuk ka pasur nevojë buxhetore për ngritje të këtyre taksave, e KGJK-ja është arsyetuar pikërisht me mungesë të buxhetit
Pas opinionit nga Avokati i Popullit (AIP) për rishqyrtim të taksave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke paralajmëruar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen e qytetarëve në drejtësi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi janë pajtuar me kërkesën nga AIP-ja.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, vlerëson se KGJK-ja nuk ka pasur nevojë buxhetore për ngritje të taksave dhe se ky udhëzim duhet të rishqyrtohet.
“Në anën tjetër, pjesa më e madhe e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe sistemit gjyqësor të Kosovës, mbulohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, i cili mbushet me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe përderisa KGJK-ja nuk ka pasur një nevojë buxhetore për ta mbuluar një hapësirë buxhetore përmes taksave gjyqësore, definitivisht se kjo ka qenë e nevojshme dhe joproporcionale dhe që definitivisht ky udhëzim administrativ duhet të rishikohet në kuptim të lartësisë, përpos taksave që ka përcaktuar për ushtrimin e parashtresave të ndryshme”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se rritja e taksave në sistemin e drejtësisë rrezikon të drejtën e qytetarëve për qasje në drejtësi për shkak të taksave.
Por, kryetari i Këshillit, Rrustem Thaqi, ka thënë se ky institucion i pavarur është në gjendje të vështirë buxhetore.
“Duhet të nënvizoj një fakt se Këshilli Gjyqësor prej themelimit të këtij institucioni asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të vështirë në mungesën e buxhetit. Dhe këtë e kemi bërë të ditur në të gjitha institucionet përkatëse me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë”, ka deklaruar Thaqi.
Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar rishqyrtim të taksave lidhur me buxhetin e KGJK-së.
Në opinionin për Udhëzimin Administrativ thuhet se taksat e reja, pagesat shtesë për mjetet juridike dhe pasojat e mospagesës mund të kenë efekte disproporcionale, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga përjashtimi ose ndihma juridike falas.
“Në këtë drejtim, rritja e konsiderueshme e taksave gjyqësore, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre mund të krijojnë barriera financiare disproporcionale, të cilat dekurajojnë inicimin dhe zhvillimin e procedurave gjyqësore. Veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit ose nga ndihma juridike falas. Në dritën e standardeve të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ekziston rrezik real që, në formën aktuale, dispozitat e UA nr.03/2025 të prodhojnë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi”, kanë thënë nga AIP-ja.
Sipas sistemit të ri, taksa për paditë deri në 5 mijë euro është 60 euro, ndërsa për kontestet nga 50 mijë deri në 100 mijë euro është rritur nga 150 në 300 euro.
Ρεζάνα Μποζλάνι