Deputetët e mazhorancës kanë miratuar sot, në Komisionin e Ekonomisë kontratën koncesionare për rrugën Milot-Balldren. Ndërtimi i këtij aksi ka shkaktuar shumë debat për shkak të kostos që arrin deri në 256 milionë euro.
Në Komisionin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj kërkoi llogari për të sqaruar atë që cilësoi si “tymnajë” që po hidhet për koston e ndërtimit të kësaj rruge.
“Kostot, ka një tymnajë të padrejtë rreth kostove të investimet dhe projektit. A janë këto çmime në përputhje të plotë me manualet që përdor qeveria për investime publike? A keni mundësi të na bëni një krahasim me një urë të ngjajshme në rajon si kjo e Matit, dhe kostos së një kilometri vepër të rrugës me një kilometër të një rruge në vende të tjera të rajonit”, pyeti ai.
Më herët, si përfaqësues i ministrisë, Artan Shkreli tha: “Projekti në fjalë përfshin ndërtimin e një tuneli 850 metra, i gjithi në zemër të malit, është Ura e Matit 620 metra, 223 ajo e Drinit, 10 km rrugë dytësore. Do jetë e kategorisë A, pra më e larta si standard. Ka dy korsi dhe një emergjence, 2,5 metra bankinë të asfaltuar jashtë korsisë së emergjencës.”
Më tej, Shkreli shtoi se duhet marrë parasysh fakti që e gjithë rruga do të ndërtohet në një zonë me kushte gjeologjike jo shumë të favorshme prandaj edhe duhen bërë studime e duhen marrë të gjitha masat e nevojshme nga firma.
“Koncesioni po jepet për projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje. Oferta totale fillestare ishte 217 mln e 18 mijë e 500 euro, ndërsa në përfundim shkon mbi 300 milion euro pasi u përfshi edhe mirëmbajtja”, shtoi ai.
Miratimi i kontratës të kësaj rruge është bërë vetëm më votat e maxhorancës. Opozita ka votuar kundër miratimit të kësaj kontrate.
Opozita ka kritikuar shpesh qeverinë e vendit se po vjedh në rrugën Milot – Balldren dhe në të tjera akse nacionale të dhëna me koncesion/Dita.