Deputeti i LVV-së, Faton Peci, ka thënë se nuk do të tërhiqen nga propozimi për formimin e komisionit verifikues për votimin në mënyrë të fshehtë të kryeparlamentarit.
Deputeti Peci duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, ka thënë se opozita nuk mund të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, partisë fituese të zgjedhjeve.
“Ne kemi reflektuar në forma të ndryshme dhe kemi treguar se jemi të hapur për të diskutuar për opsione dhe partneritete e koalicione. Në anën tjetër, në rast që ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me imponu kandidatin”, ka thënë ai.
Duke folur për partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësinë që pozitën e kryetarit të Kuvendit t’i jep liderit të Nismas, Fatmir Limaj, ai tha se Albin Kurti dje e ka sqaruar se një pozitë e tillë nuk mund t’i takojë dikujt që i ka vetëm tre deputetë.
“Ajo çka ka thënë kryeministri tregon pjesën tjetër të medaljes për çka pretendon dikush. Ai i trajton me shumë kujdes dhe respekt partneritetet që i krijon. Në raport me Guxi prej vitit 2020 deri tash ka qenë shumë korrekt dhe kujdesshëm”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Peci tha se të njëjtat janë si opsion nëse bllokada në Kuvend vazhdon.
“Gjithë është si opsion. Njëri nga opsionet. Nuk do të ishte opsion i mirë për Kosovën por është opsioni i vetëm që mund të qenë nëse bllokada vazhdon”, theksoi ai. /KP
