Haradinaj: Po vijnë njerëz nga Maqedonia ta bindin Adem Hoxhën ta votojë Kurtin

1 o. më parë / 21 maj 2025 12:17
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po sjell njerëz nga Maqedonia e Veriut që ta bindin për të marrë votën e deputetit goran, Adem Hoxha.

“Me dhjetëra njerëz të VLEN-it po vijnë nga Maqedonia e Veriut me e kontaktu Adem Hoxhën, me kërkesë të Albinit. Ky është Albini”, ka thënë Haradinaj pas dështimit të 19-të të seancës konstituive. “Marrin mundin e gjejnë njerëz këtu për të kontaktuar”.

“E kanë kuzhinën e njëjtë atje, me këtë këtu. Qeveria atje nuk ka qenë aq miqësore ndaj shumë vlerave. Po shihet që e kanë një kuzhinë”, ka shtuar Haradinaj, që ka përmendur zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Izet Mexhiti, si njërin prej këtyre personave.

Hoxha pas zgjedhjeve, sipas Haradinajt, ka vendosur t’i bashkohet grupit të AAK-së.

Haxhiu: Nuk është e qartë se çfarë do opozita

1 o. më parë / 21 maj 2025 11:57
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë se çfarë do – të konstituohet Kuvendi i Kosovës e më pas të procedohet me formimin e qeverisë së re. 

Por, ajo ka thënë se opozita nuk po di se çfarë do. 

“Nuk është e qartë se çfarë do opozita. Në vazhdimësi, siç e keni parë, ka qëndrime të ndryshme. E qartë se ata kanë preferenca, emra të përveçme. Por, ne bazohemi në të drejta kushtetuese e të drejtat kushtetuese vlejnë më tepër se çfarëdo preference. I takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Për VV-në me rëndësi të votohet Komisioni, të konstituohet Kuvendi e të hapet rruga për formimin e qeverisë”, ka thënë Haxhiu, pas dështimit të 19-të për konstituim të Kuvendit. 

Haxhiu po propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, por nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t'u zgjedhur.

Ajo ka thënë se VV-ja ka qenë e qartë se nuk do ta ndryshojë propozimin për kryetar të Kuvendit. 

“Nëse vazhdojmë me preferenca siç do opozita, atëherë do të kemi kryetar që i pëlqen opozitës, dhe nënkryetarë që i pëlqejnë pozitës. Nuk jemi për t’i pëlqyer njëri-tjetrit. Jemi parti politike dhe duhet të sillemi sipas rregullave kushtetuese. Situata është e qartë. Qëndrimi i Vetëvendosjes dihet. Ka tashmë plan për të penguar konstituimin e Kuvendit, por mendoj se është vendim i gabuar. Qytetarët presin nga ne ta konstituojmë Kuvendin e ta formojmë qeverinë”, ka thënë Haxhiu. 

 

Rexhaj i VV-së insiston që seanca të ftohet një herë në javë

1 o. më parë / 21 maj 2025 11:45
Arbër Rexhaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, e ka quajtur të gabueshme mbledhjen e Kuvendit çdo 48 orë, duke shtuar se “formula më e mirë është një herë në javë”.

Ai ka deklaruar se mbledhja për seancë çdo 48 orë është bërë për t’iu bërë presion deputetëve.

“Më mirë ishte një herë në javë, në atë kuptim...E vërteta është se gabim është çdo 48 orë. Po e vëreni edhe vet. Është bë me qëllim të mirë, realisht t’i shtyjë e t’i japë presion edhe deputetëve. Është i panevojshëm. Formula më e mirë është një herë në javë. Në këtë kuptim nuk do të bëheshim të tepërt. Realisht do të kishim kohë për zgjidhje”, ka deklaruar Rexhaj.

Deputeti i VV-së shtoi se partitë e tjera po e bllokojnë procesin, derisa tha se këto subjekte “qysh në fillim kanë votuar edhe kundër vetvetes për të marrë mandatin”.

“Qysh në fillim është parë tendenca. Kryetari i subjektit më të madh politik ka marrë iniciativën t’i thirrë në takim subjektet për të gjetur zgjidhje”, ka shtuar ai.

Çitaku: I bëjmë thirrje deputetit Kurti të reflektojë

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:38
Vlora Çitaku

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, duhet të reflektojë dhe ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare.

“I bëjmë thirrje deputetit Kurtit të reflektojë, të zhbllokojë situatën, ta ndërrojë kandidaten, në mënyrë që institucionet të konstituohen. PDK-ja ka qenë e përgjegjshme dhe konstruktive gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të mundohemi me çdo gjë për ta zhbllokuar situatën”, ka thënë ajo.

Çitaku nuk komentoi deklaratat e Kurtit gjatë intervistës së djeshme në RTK.

Vazhdojnë dështimet, s’ka konstituim as në tentimin e 19-të

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:31
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar edhe tentimi i 19-të i Kuvendit të Kosovës për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Edhe sot nuk pati kuorum për të votuar komisionin për votim të fshehtë. Pro votuan 54 deputetë, një ishte kundër e nuk pati abstenime.

Seanca e ardhshme është caktuar për të premten me fillim prej orës 11:00.

Gashi: Ne nuk jemi këtu t’ia bëjmë shumicën Kurtit

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:25
Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se është përgjegjësi e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të bëjë shumicën parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe ta formojë qeverinë.

Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, tha se nuk i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës t’ia bëjë shumicën partisë së parë, për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Zotëri Kurti e ka fituar një të drejtë kushtetuese duke qenë i pari në zgjedhje. E drejta është që të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe ta formojë qeverinë. Kjo e drejtë është ekskluzive e tij dhe po ashtu të propozojë i pari qeverinë. I mbetet atij të bëjë shumicën, pasi ne nuk jemi të bëjmë shumicën”, tha ai./KSP

Haradinaj: Kurti është mashtrues, nuk i ka numrat prandaj manovron

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:13
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti është mashtrues pasi sipas tij po manovron në mënyra të ndryshme meqë nuk i ka numrat.

Para nisjes së seancës së sotme konstituive, Haradinaj pati kritika edhe për ministrat që janë bërë deputetë.

“Fakti që çon dorën në Kuvend dhe merr vendim si deputet, edhe shkon e çon dorën në qeveri, besoni është kriminale. Nuk mundet deputeti që voton në legjislaturë, të votojë edhe në qeveri. Këtij po i zbulohet mashtrimi. Është mashtrues. Po i del mashtrimi. Nuk i ka numrat, prandaj po manovron. Ne i kemi dhënë zgjidhje. I kemi premtuar votë për kandidat konsensualë”, ka thënë ai.

Haradinaj u pyet për deklaratën e Kurtit në intervistën e djeshme në RTK, në të cilën ka thënë se Nisma e ndihmoi AAK-në ta kalonte pragun. 

“Besoj kjo është e ngjashëm sikur me thënë LVV-ja e ka kaluar pragun falë Listës GUXO dhe Alternativës, edhe kjo e jona ashtu është. Pa Alternativën, e pa Listën GUXO, as Vetëvendosje s’e kish kalu pragun”, u shpreh Haradinaj.

Haxhiu kërkon “reflektimin e opozitës” për konstituimin e Kuvendit

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:09
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga PDK, LDK, AAK dhe partitë e tjera në Kuvend të reflektojnë për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se përgjegjësia i takon partive që deri tani ishin në opozitë, derisa tha se edhe në seancën e sotme, në tentimin e 19-të për zgjedhjen e trupave të legjislativit do të vazhdohet në formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryeparlamentarit në mënyrë të fshehtë.

“Është kërkesa e kryesuesit të seancës që të votohet Komisioni për votim të fshehtë. Urojmë që opozita të marrë pjesë në votim dhe është e rëndësishme që të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese... Përgjegjësia mbetet te opozita dhe uroj të reflektojmë që të dalim nga kjo situatë dhe të konstituojmë Kuvendin”, tha ajo duke hyrë në objektin e Kuvendit./KSP
 

Deliu-Kodra: Përgjegjësia është e Kurtit, s’ka vullnet politik për të dalë nga ngërçi

2 o. më parë / 21 maj 2025 11:09
Blerta Deliu Kodra

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se s’ka vullnet politik për të dalë nga ngërçi institucional, duke thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po t’i kishte votat për Qeveri “do t’i kishte edhe për Kuvend”.

Deliu-Kodra ka shtuar para mediave se Grupi Parlamentar i VV-së është barrikaduar “te një kandidat dhe ka mbetur në mëshirën e një kandidati që s’e di a do të jetë kandidate”.

“Haxhiu duhet të shohë mundësinë të largohet...S’do t’i komentojë deklarimet e kryeministrit...Përgjegjësia është e tij që t’i hap rrugë dhe varet nga koalicioni që ka fituar numrin më të madh të deputetëve...Po t’i kishte votat do ta shihnim me Haxhiun, e s’mund t’i ketë votat për Qeveri, e jo për Kuvend”, ka deklaruar ajo.

Peci: Opozita s’mund të na imponojë kandidatin

2 o. më parë / 21 maj 2025 10:58
Faton Peci

Foto: Arkiv

Deputeti i LVV-së, Faton Peci, ka thënë se nuk do të tërhiqen nga propozimi për formimin e komisionit verifikues për votimin në mënyrë të fshehtë të kryeparlamentarit.

Deputeti Peci duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, ka thënë se opozita nuk mund të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, partisë fituese të zgjedhjeve.

“Ne kemi reflektuar në forma të ndryshme dhe kemi treguar se jemi të hapur për të diskutuar për opsione dhe partneritete e koalicione. Në anën tjetër, në rast që ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me imponu kandidatin”, ka thënë ai.

Duke folur për partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësinë që pozitën e kryetarit të Kuvendit t’i jep liderit të Nismas, Fatmir Limaj, ai tha se Albin Kurti dje e ka sqaruar se një pozitë e tillë nuk mund t’i takojë dikujt që i ka vetëm tre deputetë.

“Ajo çka ka thënë kryeministri tregon pjesën tjetër të medaljes për çka pretendon dikush. Ai i trajton me shumë kujdes dhe respekt partneritetet që i krijon. Në raport me Guxi prej vitit 2020 deri tash ka qenë shumë korrekt dhe kujdesshëm”, tha ai.

Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja, Peci tha se të njëjtat janë si opsion nëse bllokada në Kuvend vazhdon.

“Gjithë është si opsion. Njëri nga opsionet. Nuk do të ishte opsion i mirë për Kosovën por është opsioni i vetëm që mund të qenë nëse bllokada vazhdon”, theksoi ai. /KP

Izmaku pas deklaratave të Kurtit: Pesha e një lideri në politikë nuk varet nga numrat

2 o. më parë / 21 maj 2025 10:56
Xhevahire Izmaku

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku është pyetur për deklaratën e Albin Kurtit gjatë intervistës së djeshme se nuk mund t’ia japë postin e kryeparlamentarit një partie që ka vetëm tre deputetë, duke aluduar për Fatmir Limajn.

“Limaj ka autoritet dhe njihet si autoritet përafrues në skenën politike. Por pesha e një lideri nuk varet nga numrat në politikë”, ka thënë Izmaku. /EO

Zemaj: Kurti s’është i interesuar t’i formojë institucionet

2 o. më parë / 21 maj 2025 10:54
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Albin Kurti nuk është i interesuar për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke u përgjigjur deklaratave të djeshme të kryeministrit në detyrë gjatë një interviste në RTK.

“Janë deklarata dëshirore të zotit Kurti pa dashur që të përballet me realitetin. Kjo është logjika e Vetëvendosjes: imponimi, diktati ashtu siç funksionojnë brenda partisë së tyre. Mendojnë që duhet edhe subjektet politike t’i nënshtrohen. Kjo është e papranueshme. Nuk jemi për dëshira personale këtu. Jemi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për formimin e institucioneve. Nuk ka pritshmëri. Kurti nuk është i interesuar për formimin e institucioneve të reja”, ka thënë Zemaj para hyrjes në seancë.

Sot vazhdimi i 19-të i telenovelës “dështimi i konstituimit”

6 o. më parë / 21 maj 2025 07:42
Tentimi i 12-të për konstituim të Kuvendit (Foto: Driton Paçarada)

Photo: Driton Paçarada

Me fillim prej orës 11:00, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen për herë të 19-të në atë që tashmë është kthyer në formë telenovele për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Që nga 15 prilli Kuvendi është mbledhur çdo dy ditë. Seanca ka ngelur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit e më pas nënkryetarëve, për t’u konsideruar si i konstituuar.

Teksa Lëvizja Vetëvendosje po provon që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, opozitarët po refuzojnë ta votojnë ndryshimin e metodës së votimit. Në herët paraprake, propozimi i Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare.

Dështimi është i pritshëm edhe të mërkurën, pasi partitë nuk kanë treguar ndryshim qëndrimesh në 48 orët e fundit.