Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja me protestë para Qeverisë kërkon vazhdimin e seancës konstituive

PDK

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të martën aksionin para objektit të Qeverisë, në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Një nga anëtarët e rinisë së PDK-së, Resul Suma, në deklarimin e tij para Qeverisë së Kosovës, tha se të rinjtë nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë një situate në të cilën institucionet mbahen të bllokuara dhe interesat politike vendosen mbi interesin e shtetit.

“Sot, si i ri i këtij vendi, i jam bashkuar protestës para ndërtesës së Qeverisë, sepse nuk mund të qëndroj indiferent kur institucionet e vendit mbahen të bllokuara. Për ne të rinjtë, kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen tonë”, deklaroi Suma.

 

Ai tha se mungesa e funksionimit të institucioneve po dëmton besimin e të rinjve në perspektivën e tyre në Kosovë.

“Kur institucionet nuk funksionojnë dhe kur interesi politik vendoset mbi interesin e shtetit, mesazhi që u dërgohet të rinjve është se këtu nuk ka siguri, stabilitet dhe perspektivë. Ne jemi brezi që duhet ta ndërtojë jetën në Kosovë, të punojë këtu, të krijojë familje këtu dhe ta zhvillojë këtë vend”, tha ai.

Sipas tij, çdo ditë e bllokimit institucional është edhe një goditje ndaj besimit të të rinjve se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë në Kosovë.

“Nëse vetë Kryeministri nuk e respekton shtetin dhe institucionet e tij, si mund t’i kërkohet një të riu që ta respektojë këtë shtet, ta dojë atë dhe të punojë për të? Si mund t’i kërkohet një polici apo një ushtari që nesër ta rrezikojë jetën për Republikën, nëse vetë institucionet e Republikës përçmohen dhe nënshtrohen ndaj interesit të një individi apo partie?”, deklaroi Suma.

Edhe PDK: Kur të konstituohet Kuvendi mund të flasim për çështje të tjera Arbëri PDK: Kur të konstituohet Kuvendi mund të flasim për çështje të tjera

Ai tha se të rinjtë duan një Kosovë në të cilën institucionet funksionojnë dhe ku pushteti nuk mund të vendoset mbi interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

“Nuk duam një Kosovë ku të rinjtë mendojnë vetëm se si të largohen. Duam një Kosovë ku institucionet funksionojnë dhe ku askush, pavarësisht sa pushtet ka, nuk mund ta mbajë shtetin peng për interesa politike”, tha ai. “Mesazhi im është i thjeshtë: Albin Kurti, ndaleni bllokadën. Ejani në Kuvend, konstituojeni atë dhe hapjani rrugën funksionimit të institucioneve. Mos ua merrni të rinjve edhe shpresën se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Kosovë”.

Aksioni vjen pas disa ditësh përpjekjesh të kësaj partie për të ushtruar presion për vazhdimin e seancës.