Ka vazhduar edhe të enjten protesta para ndërtesës së ekzekutivit nga deputetët e PDK-së dhe Aleancës, të cilët përmes saj po kërkojnë konstituimin e Kuvendit dhe daljen e vendit nga bllokada institucionale
Për të katërtën javë radhazi, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës kanë vazhduar aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen e ndërtesës dhe duke kërkuar thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se aksioni ka për qëllim t’u tregojë qytetarëve që, sipas tij, kjo qeveri është e uzurpuar.
“Edhe sot bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës dhe asambleistë kemi ardhur për të dalë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për të përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës se kjo ndërtesë e Qeverisë është uzurpuar”, ka thënë ai.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen në vend, duke thënë se Kosova po përballet me ngecje në pothuajse çdo sektor.
“Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme të tjera sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë”, ka deklaruar Kadrijaj.
Aksionit, të enjten u janë bashkuar edhe asambleistë nga Komuna e Prishtinës.
Asamblisti Yll Muriqi është shprehur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka sjellë vendin në një bllokadë totale.
“Sërish jemi mbledhur para jush për të kërkuar llogari nga deputeti Albin Kurti, i cili e ka sjellë vendin në bllokadë totale. Ne e dimë që institucionet nuk po funksionojnë, vendi është paralizuar dhe të gjitha këto probleme qytetare vetëm po vijnë duke u grumbulluar”, ka thënë ai.
Partia tjetër opozitare, LDK, ka refuzuar t’u bashkohet PDK-së e Aleancës në protestë. Kanë refuzuar edhe gjashtë deputetët e LDK-së që kanë dalë kundër marrëveshjes që partia ka arritur me LVV-në për presidentin.
Koha ka provuar të kontaktojë të gjithë, por përgjigje ka kthyer vetëm Janina Ymeri.
“Bashkime me parti të tjera. Unë kam qenë, jam, LDK”, ka thënë ajo.
Që prej ndërprerjes së seancës konstituive më 8 gusht, kryesuesi i saj, Avni Dehari – deputet i Vetëvendosjes, nuk e ka thirrur vazhdimin e seancës brenda afatit prej 48 orësh, siç përcakton Rregullorja e Kuvendit.