Arbëri

PDK-ja kërkon hetim për dyshimet për keqpërdorime në fushën e energjisë

Abelard Tahiri

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar hetime nga prokuroria për çështjen e energjisë elektrike. Në një konferencë për media të mërkurën, deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se në këtë fushë po kryhen abuzime.

Ai ka thënë se në Kosovë është rritur prej dy euro në 798 euro vetëm transmisioni i megavatit. Sipas tij, kjo është konfirmuar nga publikimi i raporteve zyrtare mbi shitblerjen gjatë vitit të kaluar. Ai ka thënë se kjo i ka shkaktuar buxhetit dëm mbi një milion euro në vetëm gjashtë orë.

“Ky është një shembull i qartë i një keqpërdorimi të paprecedentë. Miliona euro kanë përfunduar në xhepat e kompanive të lidhura me këtë qeveri”, ka thënë ai. “Përballë këtyre fakteve, institucionet gjegjëse... kanë heshtur në mënyrë të pajustifikueshme. Në fund pasojat po i paguajnë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Ai ka thënë se shtrenjtimi i energjisë është rezultat i “ankandeve të kurdisura dhe përfitimeve marramendëse për kompanitë e lidhura me Qeverinë Kurti”.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon auditim të jashtëzakonshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe auditorë të pavarur për ankandet, përfituesit dhe shumat e shpenzuara, pezullim të menjëhershëm të vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë; si dhe hetim të thelluar nga Prokuroria Speciale për të gjitha zyrtarët dhe aktorët e përfshirë në këtë skandal”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se “përderisa në njërën anë janë dy-tri kompani që fitojnë miliona, Zyra e Rregullatorit për Energji nga 1 qershori do t’i nxjerrë në treg të lirë mbi 1300 biznese”.

“Tani po kërcënohet humbja e vendeve të punës të dhjetëra mijëra punëtorëve”, ka thënë Tahiri duke shtuar se dalja në treg të lirë po rrezikon bizneset. Ai ka thënë se shtrenjtimi i energjisë “po i mbyt prodhuesit vendorë dhe po i hapë dyert për prodhimet e huaja dhe prodhuesit serbë”.

Ai ka shtuar se PDK-ja po pret vendimin e ZRRE-së për këtë çështje dhe se po shqyrton mundësinë që të kërkojë masë pezullimi nga gjykata.

I pyetur për intervistimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nën dyshimet për keqpërdorim të një kontrate për dhënien me qira të një prone, Tahiri ka thënë se i inkurajon prokurorët që të angazhohen në hetimin e korrupsionit, në cilindo nivel që ndodh.

Ai po ashtu ka thënë se “për herë të parë” po dëgjon që prokurori Admir Shala, i cili po merret me rastin e Pecit, ka qenë aktivist i PDK-së në të kaluarën.