LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja insiston që bizneset të mos dalin në treg të hapur të energjisë – akuzon edhe bashkëpunëtorin e Kurtit

PDK-ja i ka kërkuar ZRRE-së që ta anulojë vendimin, me të cilin obligon bizneset më të mëdha që të dalin në treg të hapur të energjisë. Krahas kërkesës, zyrtarë të saj thanë se kompania e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Kurtit ka aplikuar të licencohet për shitblerje të energjisë. Luan Dalipi konfirmoi se kompania udhëhiqet nga vëllai i tij, por mohoi ndërhyrjen në proces

Partia Demokratike e ka kontestuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë vendimin e këtij institucioni që nga 1 qershori të dalin në treg të hapur të energjisë bizneset me qarkullim vjetor më shumë se 10 milionë euro, ose me më shumë se 50 punonjës.

Deputeti Abelard Tahiri, në një konferencë për media, tha se PDK-ja ka dorëzuar në ZRRE një kundërshtim administrativ ndaj këtij vendimi, të cilin e cilësoi të jashtëligjshëm.

“Ne do të presim 15 ditë për një njoftim nga ZRRE-ja për të anuluar këtë vendim. Nëse brenda 15 ditëve ata nuk e anulojnë vendimin, ne në ditën e 16-të do të procedojmë në departamentin administrativ në (Gjykatën Themelore) si kundërshtim administrativ ndaj këtij njoftimi, pasi ky as vendim nuk është”, ka deklaruar Tahiri. 

Në këtë konferencë shtypi, Tahiri ka akuzuar qeverinë në detyrë për korrupsion me energjinë, dhe ka thënë se një nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është ajo e themeluar nga Luan Dalipi, i cili është shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike. Për besë kjo është e tmerrshme dhe këtë nuk e di a mundemi ta quajmë më korrupsion”, ka theksuar deputeti i PDK-së. 

Ndaj deklaratave të Tahirit ka reaguar Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit në detyrë. Ai ka konfirmuar se kompania tani është në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipi.

“Përgatitjet për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme Dritoni i ka bërë para rreth një viti, për mundësinë për të investuar në tokë private familjare. Tregtimi i energjisë është parë nga ai thjesht si mundësi për ta komplimentuar këtë tendencë për t’u zgjeruar në këtë sektor. Aplikimi për licencë është bërë në mënyrë të hapur, ligjore dhe të rregullt pranë ZRRE-së”, është shprehur Luan Dalipi.

E, pas pyetjes që ia ka përcjellë KOHA, vëllai i tij Driton Dalipi ka dërguar një deklaratë të menaxhmentit të kompanisë, me të cilën ka kundërshtuar akuzat e Tahirit.

“Deklaratat e z. Abelard Tahirit janë të pabazuara. MDA është një kompani private me mbi 20 vjet përvojë në fushën e konsulencës profesionale dhe nuk është pjesë e spektakleve mediale me prapavijë politike... Që nga themelimi në vitin 2004, MDA ka funksionuar si një kompani plotësisht private dhe e pavarur dhe asnjëherë nuk ka përfituar nga lidhje politike apo privilegje të padrejta”, thuhet në qëndrimin e Management & Development Associates (MDA).

Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II janë ngritur një numër dyshimesh që lidhen me tregtimin e energjisë. Zyrtarë të lartë të KEK-ut, përfshirë edhe tashmë ish-kryeshefin Nagip Krasniqi, janë në procese gjyqësore.

Ndërkaq, krahas rritjes së çmimit të energjisë, ZRRE-ja ka vendosur t’i nxjerrë në treg të hapur rreth 1 mijë e 300 biznese, të cilat një ditë më parë vendimin e kundërshtuan duke mbyllur pjesërisht hyrjet për në Prishtinë.