Bordi i Zyrës e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në seancën e mbajtur të enjten ka marrë vendim për t’i aprovuar aplikacionet e dy kompanive për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë të energjisë elektrike, “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k.
“Management & Development Associates” (MDA) është kompani që drejtohet nga Driton Dalipi, vëllai i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi. Më 30 maj të këtij viti, partitë opozitare hodhën akuza ndaj Qeverisë në detyrë për krijimin e “mafisë energjetike”, tek e kundërshtonin vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë. Ata e përmendën aplikimin e kompanisë së vëllait të Dalipit si një nga dëshmitë për të mbështetur pretendimet e tyre. Pas akuzave të opozitës, Luan Dalipi ka reaguar duke thënë se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, “si çdo qytetar tjetër në këtë vend”.
Në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së gjithashtu u shqyrtuan dhe u aprovuan kërkesat e 11 subjekteve juridike dhe 14 personave fizikë për marrje të autorizimit për vetë-konsum, “me kapacitet total të instaluar prej 1282 kW”.
“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, ka njoftuar ZRRE-ja në Facebook.
Dalipi ka reaguar pas publikimeve se kompania e vëllait të tij ka marrë licencë për tregti me energjinë.
Ai i ka quajtur trillime e insinuata dashakëqija të disa portaleve dhe politikanëve të opozitës, e që sipas tij, “janë rritur politikisht në epokën kur korrupsioni ishte rregull, jo përjashtim”.
“Sot, me çdo mjet, përpiqen ta barazojnë Qeverinë Kurti me qeveritë e kapura të së kaluarës, si për të mbjellë idenë se të gjithë janë njësoj. Por nuk janë – dhe këtë dallim e di mirë secili qytetar që ka përjetuar të dy realitetet. Ka nga ata që, me zell të veçantë dhe motivim politik, bëjnë çmos për të shpikur skandale – jo për interesin publik, por për ta njollosur Qeverinë Kurti, qeverisjen më të ndershme dhe transparente që ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai në Facebook. “Si duket, disa nga këtyre portaleve thjesht po iu mungojnë kontratat/pagesat njëburimore që i kanë pasur dikur”.
Edhe
PDK-ja insiston që bizneset të mos dalin në treg të hapur të energjisë – akuzon edhe bashkëpunëtorin e Kurtit
E Dalipi ka mbrojtur aplikimin e kompanisë së vëllait të tij duke thënë:
1. Numri i licencave nuk është i kufizuar, e kjo nënkupton që secili që i plotëson kushtet licencohet. Andaj njoftësia është e panevojshme.
2. Blerja dhe shitja eventuale e energjisë bëhet kryekëput me sektorin privat, andaj nuk ka mundësi përfitimi nga lidhjet eventuale politike.
3. Sa më i madh numri i ofertuesve aq më e madhe është konkurrenca, e më i ulët çmimi i furnizimit. Andaj licencimi i më shumë ndërmarrjeve i ndihmon, e nuk e dëmton konkurrencën.
4. Asnjë biznes nuk obligohet të blejë energji nga një biznes i caktuar, por e zgjedh individualisht furnizuesin.
-
Haradinaj: Kompania e vëllait të Dalipit po shpërblehet, krimi i mafisë energjetike duhet të marrë fund
-
Dalipi i reagon PDK-së: Vëllai im është qytetar i lirë, ka të drejtë të angazhohet në biznes
-
PDK: Një kompani që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është themeluar nga shefi i stafit të Kurtit
-
Bordi i ZRRE-së i licencoi dy kompani për furnizim dhe një për tregti me energji