Arbëri

Bordi i ZRRE-së i licencoi dy kompani për furnizim dhe një për tregti me energji

Zyra e Rregullatorit për Energji i ka licencuar dy kompani për furnizim dhe një për tregti me energji elektrike. Kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu, tha se kërkesat për licencim janë rritur pas liberalizimit të tregut energjetik. Gjatë mbledhjes të së premtes, Bordi e shqyrtoi edhe raportin për bilanc të energjisë, porse nuk ofroi hollësi rreth parashikimeve për prodhim, import e konsum

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka licencuar gjatë mbledhjes të së premtes dy kompani për furnizim dhe një për tregti me energji elektrike. Licenca për furnizim iu dha kompanive “Swiss Solar Park” e “Solar Neo”, ndërsa ajo për tregti me energji, “Alfa Companys”.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se shkaku i liberalizimit të tregut të energjisë është shënuar rritje në kërkesat për pajisje me licenca.

“Për shkak të liberalizimit të tregut kemi një numër të madh të kërkesave për licencim dhe furnizim, por në të njëjtën kohë edhe për tregtim me shumicë. Aq më tepër, tash kemi edhe kërkesa për ndërtim të gjeneratorëve, që si synim kanë tregun pa ndonjë mbështetje nga institucionet e Kosovës. Pra, energjia elektrike po futet në tregun e Kosovës”, ka thënë Fejzullahu.

Bordi i ZRRE-së e ka shqyrtuar dhe i ka dhënë miratim edhe bilancit vjetor të energjisë elektrike, dokument ky që përmban parashikimin dhe analizën e prodhimit, konsumit, importit dhe eksportit të energjisë. Por, në mbledhje nuk u përmend asnjë shifër që e përmban ky dokument.

Në ZRRE kanë thënë për KOHËN se përmbajtja e plotë e dokumentit do të publikohet të hënën.

Në mbledhje, Bordi ka marrë vendim gjithashtu që ta rihapë tenderin për zgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit, pas dështimit të atij paraprak.

“Më 19 maj ka qenë data për hapjen e ofertave, ndërsa ftesës për të tenderuar për furnizues të fundit nuk i është përgjigjur asnjë aplikues, edhe pse të licencuar për këtë aktivitet kanë qenë në numër të konsiderueshëm”, ka bërë të ditur Ymerdin Misini, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në ZRRE.

Për shkak të dështimit të tenderit të parë, ZRRE-ja ia ka vazhduar edhe për 6 muaj – deri në janar, afatin KEK-ut për të shërbyer si furnizues fundor për ata konsumatorë që nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim.

Në mbledhjen e Bordit nuk është shqyrtuar plani investues njëvjeçar i KEDS-it, për shkak të disa vërejtjeve që janë adresuar lidhur me të.

ZRRE-ja ndërkaq ka miratuar dhjetëra kërkesa të personave fizikë e atyre juridikë për pajisje me autorizim për prodhimin e energjisë elektrike për vetëkonsum.