Arbëri

Fejzullahu kërkon mirëkuptim nga bizneset që pranuan fatura të rrymës trefish më të shtrenjta

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, nuk i ka komentuar faturat e shtrenjta të energjisë që i kanë pranuar bizneset, të cilat kanë kaluar në treg të lirë. Duke u thirrur në detyrimet ligjore për ta zbatuar vendimin për liberalizim të tregut, Fejzullahu u ka kërkuar përfaqësuesve të bizneseve që të kenë mirëkuptim teksa ka theksuar se pret që licencimi i kompanive të reja për furnizim me energji do t’i zbusë faturat e rrymës

Ankesat e adresuara nga përfaqësues të bizneseve se muajin e fundit kanë pranuar fatura të rrymës për dy deri në trefish më të larta se sa më herët nuk i ka komentuar të premten kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, me justifikimin se me këtë janë duke u zbatuar detyrimet ligjore.

Përfaqësues të bizneseve ankesat për fatura më të larta të rrymës së shpenzuar i kanë adresuar, pas vendimit të ZRRE-së për kalimin në treg të lirë të energjisë të bizneseve me më shumë se 50 punëtorë apo qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.

Në konferencën për shtyp të mbajtur pas mbledhjes së Bordit, Fejzullahu ka kërkuar mirëkuptim nga bizneset. Ai nuk ka treguar nëse janë duke u monitoruar furnizuesit për abuzime potenciale me çmime teksa ka shtuar që në rast të pranimit të ankesa të tilla, ato do të trajtohen.

“Ne mundohem maksimalisht me qenë pranë bizneseve, mirëpo duhet të kem parasysh edhe bizneset dhe duhet të kem mirëkuptimin në raport me vendimet e ZRRE-së, për shkak se ky është detyrim ligjor dhe ZRRE-ja nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër, përveç ato mekanizma që janë të përcaktuara me ligj”, ka thënë ai.

Bizneset që janë detyruar sipas ligjit të dalin në treg të lirë të energjisë, kanë vetëm rreth pesë opsione furnizimi nga mbi 20 operatorë sa i ka licencuar ZRRE-ja për të ofertuar.

Në mbledhjen e së premtes të bordit të ZRRE-së u është dhënë autorizim edhe tri kërkesave për licencim të operatorëve. Kjo, sipas Fejzullahut, do të ndikojë në uljen e faturave.

“Në vazhdën e lehtësimit të kushteve jo vetëm për bizneset, por edhe për konsumatorët tjerë, janë edhe këto vendime, ku kishim përveç tjerash vendime për kapacitete shtesë gjeneruese, kishim edhe një numër të madh të autorizime për ndërtimin e kapaciteteve nga panelet solare ose gjeneratorë për vetë konsum ishin afërsisht rreth një pikë tetë megavat shtesë autorizime për konsumatorë, meqenëse ato do të ulin faturën e tyre në rast se instalojnë”, ka thënë ai.

Fejzullahu ka theksuar se rritja apo ulja e konsumit të energjisë elektrike do të përcaktojë nëse do të shtrenjtohen apo do të ulen tarifat e energjisë gjatë periudhës së dimrit. Por ka shtuar se konsumi i energjisë elektrike është rritur.

“Do të shikojmë kostos e sistemit, varet se sa është kosto e sistemit do të ketë mundësi edhe të rritjes por nuk përjashtohet mundësia edhe e zbritjes në rast se kemi kursime, në rast se çmimet e tregut do të bien”, ka thënë ai.

Gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së të premten janë miratuar edhe dhjetëra kërkesa për autorizime për vetëkonsum, për kompani dhe për persona fizikë.