Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna u është drejtuar me një letër presidentes, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, me kërkesë që të pezullojnë vendimin e ZRRE-së për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë.
Kërkesës Rafuna i është referuar si thirrja e fundit për të ndaluar, siç thuhet “një veprim arbitrar që po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës”.
Në letër thuhet se ky proces do të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike dhe rrezikon mbylljen e fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe shkatërrimin e prodhuesit vendor, që thuhet se është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
“Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka kryer një hulumtim me kompanitë prodhuese të sektorëve kryesorë. Rezultatet tregojnë se rritja e kostove të energjisë është e papërballueshme: 1. Kostoja e energjisë për industrinë është rritur mesatarisht 3 herë krahasuar me vitin 2024. 2. Në disa industri, ndikimi i kostos së energjisë në shpenzimet operative (OPEX) ka arritur deri në 44%, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të prodhimit. 3. Vetëm për sektorin e ndërtimit, rritja e kostos ka qenë mbi 5.6 milionë euro, ndërsa për industrinë e ushqimit mbi 1.7 milionë euro”, thuhet në letrën e kreut të OEK-ut.
“Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni një akt patriotik për Kosovën duke pezulluar menjëherë vendimin për daljen e detyruar në treg të lirë të energjisë deri në finalizimin e lëndëve gjyqësore dhe vendimeve për masën e sigurisë…”, thuhet tutje në letër.
Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës gjatë ditës së sotme kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE-ja nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Aktualisht, kompanitë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Ky furnizim është i përkohshëm, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar. Afati prej 60-ditësh skadon sot.
Periudha 60-ditore e mbështetjes nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ka nisur më 1 qershor, kur ka hyrë në fuqi vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë një furnizues të licencuar. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.