Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas 79 ditësh, Kurti ktheu në pozitë ish-ministrin që kishte thënë se s’do të kthehej më

Mëngjesin e ditës së 79-të, qëkur Kosova kishte mbetur pa ministër të Shëndetësisë, kryeministri Albin Kurti takoi sh-ministrin e këtij dikasteri, Arben Vitia.

Atij ia besoi për të tretën herë, që nga viti 2020, menaxhimin e këtij sektori.

Takimi për të formalizuar këtë emërim nuk ishte i hapur për media. Qeveria e Kosovës ka dërguar vetëm një komunikatë, e cila ka veç një fjali informuese.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitinë ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

KOHA ka provuar ta kontaktojë ministrin e ri, por ishte i paqasshëm.

Edhe Arben Vitia emërohet ministër i Shëndetësisë Arbëri Arben Vitia emërohet ministër i Shëndetësisë

Ai ishte ministër në Qeverinë Kurti 1. Për disa kohë ishte ministër edhe në Qeverinë Kurti 2, për t’u dorëhequr për shkak të garës për kryetar të Prishtinës, të cilën e humbi më pas.

Prej asaj kohe Vitia nuk ishte pjesë e jetës publike përveç angazhimeve në Degën e Vetëvendosjes në Prishtinë. Ai filloi punën si menaxher në një spital privat nga ku, siç ka mësuar KOHA, ka dhënë dorëheqje të premten e javës që shkoi.

Kur Vitia pati dhënë dorëheqjen nga pozita e ministrit vitin e kaluar, kishte deklaruar që nuk do të kthehej në pozitën e ministrit.

Kthimin e ministrit Vitia në krye të Shëndetësisë e kanë kritikuar partitë opozitare.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka quajtur këtë lajm të mirë për “mafinë e shëndetësisë”.

Edhe Ministri i Shëndetësisë nuk u ndahet organizimeve të VV-së në Prishtinë Arbëri Ministri i Shëndetësisë nuk u ndahet organizimeve të VV-së në Prishtinë

“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve. Ditë të mira për shëndetësinë siç duket nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ish-ministri i Shëndetësisë e deputet i LDK-së, Armend Zemaj, shpresat për zhvillim në shëndetësi i ka mbështetur tek Zoti.

“Ministri i Shëndetësisë nuk ndryshon. Qasja nuk ndryshon. Ndaj, dështimi e degradimi vazhdojnë. Zoti i ruajtë mjekët e infermierët e mbetur në vend, si dhe pacientët që kanë nevojë për shërim!” – ka shkruar Zemaj.

Vitia deri më tani nuk ka bërë ndonjë deklarim për media.

Edhe Personalitetet e vitit 2022: Arben Vitia – Doktor-pishmani Arbëri Personalitetet e vitit 2022: Arben Vitia – Doktor-pishmani

Ai kishte prezantuar një program për shëndetësi në vitin 2021, për mandatin 4-vjeçar, të cilin pas më shumë se rreth 15 muaj do ta vazhdojë.

Vitia e pason ish-ministrin Rifat Latifi, i cili dha dorëheqje në fillim të tetorit.

Gjatë Qeverisë Kurti 2 shëndetësia është kritikuar si një nga sektorët me pothuajse asnjë rezultat. Kryeministri Kurti në përpjekje për të stabilizuar situatën krijoi në muajin shtator Komitetin Ekzekutiv për Shëndetësi, të cilin e udhëheq vetë ai, por as kjo nuk dha asnjë rezultat.