Arbëri

Një vit i humbur për sektorin “e sëmurë” rëndë

Shendetesia ne Kosove - kriza gjate vitit 2022

Teksa ministrat e kaluar me raste arsyetoheshin se buxheti i vogël për shëndetësi i privonte nga menaxhimi suksesshëm në këtë sektor, më 2023 kjo arsye s’mund të përmendet shpesh. Janë 100 milionë euro më shumë buxhet dhe viti 2023 nis me ministër të ri/vjetër. Arben Vitia është kthyer aty, ku në dy rastet e para nuk ia kishte dalë t’i rregullonte telashet e pafundme – në krye të Ministrisë së Shëndetësisë

Një javë pa përfunduar viti 2022, Ministria e Shëndetësisë u bë me shefin që do ta udhëheqë në gjysmën tjetër të mandatit. Në ditën e 79-të, prej kur ky sektor plot telashe u menaxhua me ushtrues detyre pas dorëheqjes së ministrit Rifat Latifi, kryeministri Albin Kurti riktheu ish-ministrin Arben Vitia në postin e vjetër.

Ky është emërimi i tretë i Vitisë në krye të Shëndetësisë. Ai ishte ministër edhe në Qeverinë Kurti 1 edhe në fillim të Qeverisë 2, por dha dorëheqje 14 muaj më parë për të garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 për kryetar të Prishtinës, por e humbi ballafaqimin me Përparim Ramën.

“Dezertimi” i mjekut që s’arriti ta menaxhonte sektorin plot telashe

Tashmë janë bërë tre muaj nga themelimi i Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi nga kryeministri Albin Kurti, në kohën kur telashet në këtë sektor vetëm sa po shtoheshin. Kurti e vlerësoi situatën të vështirë për ta menaxhuar i vetëm ministri Latifi. Në fakt, emërimi i Latifit më 16 nëntor 2021, si një mjek i njohur në SHBA, u prit mirë dhe pa reagime edhe nga opozita, por grumbulli i telasheve ishte i pazgjidhshëm edhe nga ai, për “t’u dorëzuar” pas 14 muajve në detyrë.

Gjatë themelimit të Komitetit, Kurti tha se tash e tutje do të merret edhe ai me sektorin e Shëndetësisë, por rezultatet mungojnë prej kur është themeluar. Po ashtu e ardhmja dhe funksioni i këtij komiteti është i paqartë tash pas emërimit të Vitisë, ministrit që minimumi besohet se i di telashet në shëndetësi.

Diçka tjetër çfarë e pret ministrin Vitia është edhe mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të udhëheqësve të institucioneve më të larta shëndetësore, e shfaqur edhe haptas gjatë gjithë kohës.

Komunikimi e bashkëpunimi mes ushtruesit të detyrës së SHKSUK-së, Bordit të SHSKUK-së, sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë lë shumë për të dëshiruar.

Edhe vetë Kurti ka pranuar këtë raport, duke thënë se nuk është komunikim normal.

Gjatë vitit 2022 ishte raportuar disa herë edhe për dallimet e mëdha në prioritetet e ministrit Latifi për menaxhimin e shëndetësisë me ato të Qeverisë dhe për mungesën e një plani konsistent për shëndetësi.

Institucionet kyç me ushtrues detyre

Pos Ministrisë së Shëndetësisë, që ishte për gati tre muaj pa udhëheqës me kompetenca të plota, edhe Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës, Agjencia e Kosovës për Produkte Mjekësore e Fondi i Sigurimeve Shëndetësore janë disa nga institucionet tjera kyç në shëndetësi që tash e sa kohë udhëhiqen me ushtrues detyre. Për këtë, një nga prioritet e radhës të këtij sektori do të jetë emërimi i udhëheqësve me kompetenca të plota.

Bordi i SHSKUK-së që nga 2 gushti 2022, prej kur Valbon Krasniqi dha dorëheqjen nga pozita e drejtorit, është me ushtrues detyre, detyrë që e ushtron përkohësisht specialistja e gjinekologjisë, Pranvera Zejnullahu-Raçi. Ajo nuk ka pasur asnjëherë ndonjë pozitë drejtuese në këtë institucion. E detyrë dhe përgjegjësi e drejtorit të ri të SHSKUK-së, ndër tjera, do të jetë menaxhimi me listat e pritjes tejet të gjata, planifikimi vjetor dhe i rregullt i barnave, investimi në aparatura e ballafaqimi me mungesën e stafit mjekësor e infermieror.

Trendi i ikjes së trurit rrezikon mbylljen e reparteve

Kur u emërua ministër i Shëndetësisë më 16 nëntor 2021 Rifat Latifi, qysh në adresimin e parë premtoi “shërim” të sistemit shëndetësor dhe krijim të kushteve që mjekët të mos ikin jashtë vendit. Por doli thjesht premtim, ikjet vazhduan dhe shifrat po bëhen gjithnjë e më të frikshme.

Me këtë problem pritet të përballet edhe ministri Vitia.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, gjatë vitit 2022 u larguan 205 mjekë nga Kosova. Paralajmërimet janë se trendi do të jetë i njëjtë edhe më 2023. Paga e ulët dhe kushtet jo të mira të punës janë disa nga kërkesat që punëtorët shëndetësorë kanë përmendur si arsye për ikje. Megjithatë, ka pak shpresë. Implementimi i Ligjit të Pagave në vitin 2023, sipas Odës së Mjekëve, mund të zbusë pak këtë fenomen.

Me mungesë të stafit shëndetësor janë ballafaquar edhe spitalet rajonale. Disa reparte rrezikojnë të mos ofrojnë shërbime 24-orëshe, si shkak i pensionimit të mjekëve të lëmenjve të ndryshëm, vdekjeve dhe ikjeve jashtë vendit apo edhe kalimit në institucione private.

Për mungesën e kuadrove ish-drejtori mjekësor i Spitalit të Pejës, Muhamet Halitaj, ka fajësuar institucionet për koordinim jo të duhur për ndarjen e specializimeve.
“Ndarja e specializimeve, periudha kohore, ka qenë shumë e rrallë, nuk ndahen specializime. Një herë në 4 vjet. Vetëm gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti (2022) ne si spital kemi pasur përmbi 20 mjekë që kanë dalë në pension dhe nuk janë zëvendësuar. Nëse nuk ndërmarrin masa, Ministria dhe SHSKUK-ja, që të ndahen specializime për çdo vit, që të motivohen mjekët e rinj, atëherë brenda 5 vjetëve do të kemi mungesa të hatashme”, ka thënë Halitaj për KOHËN.

Në vitin 2022 është dyfishuar edhe numri i infermierëve që janë larguar jashtë Kosovës. Oda e Infermiereve ka bërë të ditur se vetëm në 7-mujorin e parë të vitit mbi 400 infermierë kanë marrë rrugën për në shtetet evropiane.

Pos largimit jashtë Kosovës, shëndetësia po ballafaqohet edhe me rritjen e numrit të punonjësve shëndetësorë që i braktisin vendet e punës në institucione publike për të kaluar në spitale private, për paga shumë më të mira. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, është dyfishuar edhe kjo shifër.

Që nga korriku i vitit 2022 u paralajmërua hapja e konkursit të ri për specializantë pas atij të vitit 2020, ku ishin pranuar mbi 1.500. Tash barra për hapjen e konkursit do t’i bjerë ministrit të ri, gjithnjë me prioritet fushat ku ka kuadro deficitare, siç janë: anesteziologët, infektologët, pulmologët e të tjerë.

100 milionë euro më shumë buxhet për shëndetësinë

Nga 3 miliardë e 212 milionë euro buxhet për vitin 2023, për shëndetësisë janë ndarë 296 milionë euro, gati 100 milionë më shumë se më 2022.

Gjatë vitit 2022, ndonëse me telashe, gjithherë është siguruar buxheti për barna, por në shumë raste ka pasur mungesë të tyre. Kjo u vlerësua si pasojë e mosplanifikimit të duhur, si dhe procedurave të prokurimit.

Si urgjencë është përmendur reformimi i zyrave të prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi edhe me buxhet të shtuar rrezikohet të mos ketë furnizim të rregullt, por edhe mundësi shtesë për keqpërdorim

Këtë keqplanifikim e vuajtën sidomos pacientët me sëmundje të rënda. KOHA ka raportuar vazhdimisht gjatë vitit për mungesën e citostatikëve, terapi kjo me kosto mijëra euro e domosdoshme për trajtimin e atyre që vuajnë nga kanceri.

Për mbulimin e Listës së barnave esenciale janë buxhetuar 60 milionë euro.

Lista aktuale e barnave esenciale është miratuar në shtator të vitit 2019. Atëkohë ishte prezantuar si një ndër listat më të mira të barnave, por megjithatë ka rezultuar e paplotësuar dhe e pazbatueshme. Në tetor 2022, komisioni përkatës ka filluar punën për përditësimin e listës.

Ndërkohë Agjencia e Kosovës për Produkte Mjekësore është një nga institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë publike. Ky institucion është kompetent të garantojë cilësinë e të gjitha produkteve mjekësore që hyjnë në Kosovë. Por, ky institucion ka katër vjet që funksionon pa kryeshef dhe gjithnjë në këtë institucion ka ankesa për mungesë stafi e për vështirësi financiare.

Në kuadër të buxhetit janë parashikuar edhe një sërë investimesh dhe shtim kapacitetesh.

Gjatë 2022-tës, KOHA ka raportuar se si SHSKUK-ja kishte blerë për gati 1.5 milionë euro akselatorin – pajisje për rrezatimin e sofistikuar të tumoreve për Klinikën e Onkologjisë, e të cilës ende nuk i është siguruar hapësira e duhur. Nevojitet një bunker për mbrojtje të personelit nga rrezatimi.

Derisa ky aparat është siguruar, Qeveria nuk ka plan për blerjen e aparaturës PET SCAN, që shërben po ashtu për kontrolle të detajuara për pacientët e sëmurë me kancer. E referimet për trajtim jashtë vendit për PET Scan janë shumë të shpeshta nga QKUK-ja dhe të kushtueshme.

Në korrik të 2022-tës si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut pothuajse komplet aparatura e Klinikës së Onkologjisë doli jashtë funksionit dhe pacientët me kancer mbetën me javë të tëra pa terapi.

Jo rrallëherë është raportuar edhe për mosnjohuri të përdorimit të aparaturave të siguruara. Edhe për këtë shumë pacientë janë referuar për trajtim jashtë institucionit publik.

Në fund të dhjetorit 2022, me aparaturë të rezonancës magnetike u pajisën edhe Spitali i Pejës dhe Reparti Pediatrik në QKUK. Mirëpo, në këto dy institucione ka mungesë të radiologëve për t’i lexuar ekzaminimet dhe për të punuar me këto pajisje.

Trajnimi për t’i përdorur këto aparatura pritet të jetë një detyrë tjetër e institucioneve në vitin 2023.

Në fakt, në Klinikën e Ortopedisë dhe në atë të Urologjisë mjekët disa herë kanë kërkuar trajtim edhe në mungesë, por kjo nuk ka ndodhur. Sërish pacientët janë referuar jashtë vendit apo edhe në spitale private për trajtim.

Ligjet e pakryera dhe rreziku që edhe 2023-ta të shkojë pa sigurime shëndetësore

Qeveria Kurti pati premtuar që ligji i parë që do të kalonte për shëndetësi në vitin 2021 do të ishte ai për Rregullimin e Çmimit të Barnave. Kjo ishte edhe në Programin Legjislativ për vitin 2022 dhe plani ishte që të aprovohej deri më 30 shtator. Por, kjo nuk ndodhi as deri në fund të vitit 2022. Nga viti 2019 ka një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimit të barnave, por që nuk u zbatua asnjëherë.

Për këtë Ligji për rregullimin e çmimeve, ai për pajisje dhe produkte mjekësore e Ligji për shëndetësi janë disa nga punët që e presin Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë në vitin 2023.

Më 2022, ish-ministri Rifat Latifi kishte paralajmëruar se gjatë vitit do të dërgonte gjithsesi në Kuvend Ligjin për transplantimin e organeve. Megjithatë, as ky premtim nuk u realizua e nuk dihet nëse do të jetë prioritet për ministrin Vitia. Ai nuk ka shpalosur ndonjë plan pas kthimit në krye të MSH-së.

Tetë vjet pas miratimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, mungojnë ato në praktikë. Vlerësohet se mungojnë edhe angazhimet në këtë drejtim. Nga ajo që është folur e premtuar, sigurimet shëndetësore nuk do të jenë në plan të parë as për vitin 2023.

Ndonëse të gjitha qeveritë kanë përmendur se implementimi i skemës së sigurimeve shëndetësore është prioritet i tyre, reformat nuk janë bërë dhe madje edhe vetë udhëheqësit e institucioneve kyç janë shprehur skeptikë për këtë.

Një nga pengesat kryesore për vite me radhë është konsideruar Sistemi i Informimit Shëndetësor, që vlerësohet si parakusht për zbatimin e këtij ligji e për të cilin ende nuk ka informata të qarta. Miliona euro janë shpenzuar për këtë sistem.

Informatizimi i proceseve në shëndetësi vlerësohet domosdoshmëri për lidhjen mes të sigurimeve shëndetësore si financim dhe si veprimtari. Sipas ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë deri më 26 dhjetor, Dafina Gexha-Bunjaku, për SISH-in është paraparë një zgjidhje bazike, me të cilën veçse është filluar në kuadër të fazës afatshkurtër. Ka thënë se është duke u bërë një studim fizibiliteti në kuadër të fazës afatmesme dhe afatgjatë.

Ligji për Sigurime Shëndetësore ka kaluar në vitin 2014. Dy vjet më vonë ka nisur puna në amendamentimin e tij, por nuk është kryer ende dhe është në proces të ndryshim-plotësimeve.

Për 2023 është paralajmëruar ridraftimit i Ligjit për sigurime shëndetësore, si dhe plotësim-ndryshimi i Udhëzimit administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike.

Fondi për sigurime shëndetësore, që është mekanizmi i zbatimit të sigurimeve

Shëndetësore, gjithë fokusin e ka vetëm në programin e trajtimit jashtë vendit. Më

2022, KOHA përmes një serie hulumtimesh ka shpërfaqur një mori keqpërdorimesh që janë bërë nga ky fond në kurriz të pacientëve. Edhe ky institucion udhëhiqet nga një ushtrues detyre - Bujar Kaçuri, që edhe vetë ka evidentuar shumë probleme. Borxhi i akumuluar i fondit është mbi 30 milionë euro.

Pritja për të marrë trajtim shkon deri në 3 vjet, listave nuk iu duket fundi

Deri për në fund të vitit 2023 janë listat e pritjes së pacientëve në Klinikën e Radiologjisë për të kryer një rezonancë magnetike. E më e madhe është lista për stentime dhe koronarografi në Klinikën e Kardiologjisë. Rreth tre vjet më parë lista për të kryer rezonancë kishte arritur të zvogëlohej deri në zero përmes punës 24-orëshe.

Por, më vonë gjërat kanë ndërruar. Ka pacientë që për më shumë se një vit presin për një shërbim e që tre vjet më parë kryhej brenda ditës apo pak ditësh.

Në Klinikën e Ortopedisë, për proteza, në dhjetor ishin duke u ftuar pacientët e paraqitur më 2018.

Është diskutuar disa herë çështja e pagesës së mjekëve sipas këtij kriteri dhe një matje e tillë e performancës vlerësohet se do të mund të shërbente si stimulim për punë e që rrjedhimisht do të ndikonte edhe në zvogëlimin e listave të gjata.

Për vitin 2023, për të avancuar në mbikëqyrjen e sigurimit të cilësisë e shërbimeve shëndetësore janë buxhetuar 42 pozita të reja si për inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutikë. Rritja e numrit të inspektorëve bën edhe rritjen e inspektimeve dhe shton mundësinë që të mos humbet edhe një vit.