Ish-kapiteni i kombëtares angleze, David Beckham, është nderuar me titullin fisnik “Sir” nga Mbreti Charles III, në një ceremoni madhështore të mbajtur në Kalanë Windsor.
Në moshën 50-vjeçare, Beckhami u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport dhe bamirësi, duke e përshkruar momentin si “më krenarin e jetës së tij”.
Ylli i futbollit shoqëroi nga bashkëshortja e tij, Victoria Beckham në ceremoni, e cila e ka dizajnuar edhe kostumin të cilin e mbante veshur ai.
Beckhami tregoi se frymëzimin për veshjen e kishte marrë pikërisht nga vetë Mbreti Charles.
“Ai është ndoshta njeriu më elegant që njoh. Kam parë fotografi të tij të rinisë me kostume ceremoniale dhe mendova: po, kështu dua të vishem. Ia tregova Victorias dhe ajo e realizoi me mjeshtëri”, ka thënë Beckhami.
Këtë moment, Beckhami e ka konsideruar si “përtej çdo ëndrre”.
“Një djalosh nga East End i Londrës, i lindur në Leytonstone, që sot nderohet nga Madhëria e Tij në Kalanë Windsor – është një moment i paharrueshëm. Pa dyshim, më krenari i jetës sime”, është shprehur ai.

Përveç karrierës së tij në futboll, Beckham ka qenë për vite me radhë i angazhuar në bamirësi, duke mbështetur shumë kauza humanitare. Ai shërben si ambasador i vullnetit të mirë për UNICEF që nga viti 2005 dhe ka kontribuar në dhjetëra fushata ndërkombëtare.
“Që në moshën 17-vjeçare e kam kuptuar se zëri im dëgjohet dhe se mund të sjell ndryshim. Është një mjet i fuqishëm për të ndihmuar. Gjithçka që bëj, e bëj nga dashuria – jo sepse duhet, por sepse është e rëndësishme”, ka theksuar më tej ai.
Me këtë nderim, David Beckham i bashkohet listës së figurave britanike që kanë lënë gjurmë të thella në sport dhe shoqëri, duke u bërë tashmë zyrtarisht Sir David Beckham.