Showbiz

Victoria Beckham: S'jam perfekte, por përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes

Victoria Beckham

Victoria Beckham

Foto: Associated Press

Disenjatorja, Victoria Beckham është shprehur se përpiqet çdo ditë të jetë nënë dhe bashkëshorte e mirë, pa pretenduar se është perfekte.

Në një intervistë për serinë në YouTube “Reviewed By Osa”, 51-vjeçarja, e cila ka katër fëmijë, me ish-futbollistin David Beckham, ka rrëfyer se pavarësisht angazhimeve si nënë punëtore dhe sipërmarrëse, prioriteti i saj është të jetë njeri i mirë, ka raportuar FemaleFirst.

“Do të doja të mendohej se jam nënë e mirë, grua e mirë. Përpiqem të jem më e mira që mundem. Punoj shumë. Dua të mendoj se jam person i sjellshëm. Jam shumë pozitive. E dua energjinë e mirë”, ka  thënë ajo.

Ish-anëtarja e grupit “Spice Girls”, e cila tashmë është ikonë mode me brendin e saj të njohur ndërkombëtarisht, ka theksuar se nuk e ka pasur kurrë synim të jetë perfekte, por thjesht të japë më të mirën e saj.

“Nuk përpiqem të jem perfekte, nuk kam qenë kurrë perfekte. Thjesht dua të jem më e mira e mundshme. I pranoj të metat e mia. Gjithçka ka të bëjë me atë për ta nxjerrë më të mirën nga vetja. Këtë e bëj përmes një diete të shëndetshme, stërvitjes së përditshme dhe stilit të jetesës që më përfaqëson”, ka shtuar ajo.

Ylli ka cekur se përkushtimi ndaj vetes është pjesë e përkushtimit të saj ndaj familjes.

“Thjesht përpiqem të jem ‘unë’ në formën më të mirë, që të jem nëna më e mirë, bashkëshortja më e mirë dhe profesionistja më e mirë që mund të jem”, ka thënë ajo.

Beckham ka pranuar se ndonjëherë përballet me dyshime ndaj vetes, por i sheh ato si diçka që e mbajnë me këmbë në tokë.
“Kam dyshime për veten, por nuk lejoj që të më rëndojnë. Besoj se një element i tillë është gjithmonë i nevojshëm, sepse përndryshe, njeriu do të bëhej jashtëzakonisht arrogant. Unë jam mjaft e përulur si njeri”, ka thënë disenjatorja.

Në mars, çifti Beckham organizoi një festë të hershme për 50-vjetorin e Davidit në Miami, Florida.

“Çfarë mënyre për të nisur festimet për Davidin, të rrethuar nga miqtë dhe familja... Puthje nga Miami!”, pati shkruar Beckham në Instagram.

Megjithëse djali i madh, Brooklyn Beckham dhe gruaja e tij Nicola munguan në festë, David u shoqërua nga emra të njohur si Lionel Messi, Luis Suarez, Tom Brady, Justin Theroux dhe Fisher Stevens.