Arbëri

Paratë e destinuara për digjitalizim në shëndetësi, Prishtina i çoi në digjitalizim vendparkingjesh

Komuna e Prishtinës ia ka ndërruar destinimin buxhetit të ndarë për digjitalizimin e shëndetësisë. Bazuar në një shkresë të kryetarit Përparim Rama, gjysmë milioni të parapara për këtë qëllim, janë alokuar në digjitalizimin e vendparkimeve.

Gjysmë milioni euro kishte planifikuar Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë t’i shpenzonte në digjitalizimin e shëndetësisë primare, ani pse kjo është përgjegjësi e nivelit qendror.

Nga këto para asnjë cent nuk është paguar për ketë destinim.

500 mijë eurot e ndara për shëndetësinë primare në kryeqytet janë rialokuar. Serish kanë shkuar për digjitalizim, por për digjitalizimin e parkingut.

Me 14 dhjetor të vitit të kaluar, kryetari Përparim Rama përmes një shkrese, ka kërkuar nga Drejtoria e Financave që Prishtina Parkingut t’i transferohet kjo shumë e parave, bazuar në një marrëveshje e cila ishte nënshkruar një ditë më herët.

“Në bazë të marrëveshjes më datë 13.12.2023, kërkohet realizim i pagesës nga Kategori e Investimeve Kapitale në vlerë prej 500 mijë euro nga Mallrat e shërbimet nga drejtoria e Infrastrukturës Publike për Prishtina Parking”, thuhet në shkresën e Ramës.

Në kërkesë është e bashkëngjitur edhe marrëveshja mes komunës dhe “Prishtina Parkingut”.

Me të, komuna merr obligim t’i investojë 1.5 milion euro për digjitalizimin e vendparkingjeve, ndërsa “Prishtina Parking” shumën prej 1 milion eurosh.

Në marrëveshje jepen detajet se çfarë do të realizohet me 2.5 milionë euro. Disa nga to janë: censorët e tokës për hapësirat e parkimit, censorët për kontejnerë të mbeturinave, shtyllat e mençura për qendrën e qytetit, stacionet për mbushje të skuterëve elektrikë, e të tjerë.

I gjithë projekti planifikohet që të përfundojë brenda 12 muajsh. Bazuar në këtë afat, realizimi i projektit duhet të përmbyllet brenda 4 muajsh.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës në lidhje me këtë çështje, pro nuk ka marrë përgjigje.

Për digjitalizimin e shëndetësisë në nivelin primar, përfaqësues të Prishtinës nuk kanë folur shumë gjatë këtij mandati.

Megjithatë, projektin e kishte zënë në gojë kryetari Rama, kur e kishte vizituar një biznes privat që merret me digjitalizim në sektorin e shëndetësisë.

“Digjitalizimi i shëndetësisë po tregohet tejet efektiv në shumë aspekte, si minimizimi i kostove, kursimi i kohës dhe mbi të gjitha ofrimi i kujdesit edhe për personat pa qasje direkte në infrastrukturë dhe shërbime shëndetësore”, pati thënë Rama.

Procesi i digjitalizimit të shëndetësisë nuk është përgjegjësi e nivelit lokal. Kjo, pasi që edhe me infrastrukturë ligjore e edhe me strategjinë e kaluar sektoriale, në Kosovë duhet të ketë sistem të unifikuar të informimit shëndetësor, që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.