Arbëri

Palokaj: Pas Banjskës, Shqipëria ka ndryshuar qasje ndaj Serbisë – s’e ka mirëkuptimin që e ka pasur

Augustin Palokaj

Gazetari Augustin Palokaj ka thënë se qasja e Shqipërisë ndaj Kosovës ka ndryshuar pozitivisht pas sulmin në Banjskë.

Ai ka shtuar se Kosova nuk e ka mbështetjen e pakushtëzuar nga asnjë shtet, as nga Shqipëria, e se nuk duhet ta presë një gjë të tillë.

“Shqipëria nuk do i prishë punët vetes për të bërë diçka për Kosovës, ndonëse sjellja e Shqipërisë ka ndryshuar pas Banjskës. Në paraqitjet ndërkombëtare Shqipëria nuk e ka më atë mirëkuptimin që e ka pasur për Serbinë para Banjskës - ndryshim pozitiv. Kosova nuk ka mbështetje të pakushtëzuar nga askush, as nga Shqipëria. Për shembull, Rusia thotë për Serbinë ‘çfarëdo që bën Serbia ne jemi në anën e Serbisë’. Për Kosovën këtë nuk e thotë askush, as Shqipëria, as SHBA, as Gjermania. Na mbështesin derisa mendojnë se kemi të drejtë”, ka thënë ai në “Konfront”.


Palokaj: Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia do të thoshte shkatërrim i vetë Rusisë

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ndonëse Rusia është e rrezikshme, ajo nuk është e fuqishme, derisa tha se përdorimi i armëve bërthamore ngs Rusia do të nënkuptonte vetëshkatërrim.

Palokaj ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se frika nga Rusia është ajo për armët bërthamore, derisa shtoi se është për t’u përgëzuar ushtria ukrainase që e përballoi ushtrinë ruse deri më tani.

“...Një vend që ka aq shumë bomba atomike është i rrezikshëm, por s’do të thotë që është i fortë. Frika nga Rusia është se ka armë bërthamore, por ekspertët thonë se Rusia e di që përdorimi i armëve bërthamore është shkatërrim i Rusisë”, ka shtuar ai.

Sipas Palokajt, Gjermania po e zbaton vendimin për mbylljen e të gjithë reaktorëve bërthamorë dhe më s’prodhon rrymë nga gjeneratorët bërthamorë.

“Gjermania duhet ta lusë Fracën dhe Britaninë e Madhe që si të vetme fuqi bërthamore në Evropë, nëse SHBA-ja tërheq pozicionimin, e tërheqin atë pozicionim parandalues nuklear, që bombat atomike Gjermanisë t’ia vënë në pozicion në aspektin e parandalimit”, ka thënë ai.


Palokaj: E çuditshme të mos ketë asnjë flamur të NATO-s për Ditë të Çlirimit

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se derisa po qëndron në Prishtinë s'ka parë asnjë flamur të NATO-s të vendosur në shenjë të manifestimit të përvjetorit së çlirimit të Kosovës.

Palokaj ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se po festohet Dita e Çlirimit të Prishtinës, por tha se s’dihet a po festohet “dita e hyrjes së NATO-s në Kosovë apo kur ndonjë njësit i UÇK-së ka hyrë në ndonjë pjesë të qytetit.

“E çuditshme se si 11 qershori po festohet si dita e çlirimit, megjithëse sot pashë një manifestim ku shkruhej ‘Dita e Çlirimit 11 dhe 12 qershor’. A është dita e hyrjes së NATO-s në Kosovë çlirim, apo ndonjë njësit i UÇK-së ka hyrë në ndonjë pjesë të qytetit. Më erdhi keq, sot ne mburremi që kemi shtetin dhe kemi flamurin tonë, por s’pashë askund të stolisur Prishtinën me flamur të NATO-s”, ka thënë Palokaj.

Ai shtoi se s’do të ishte i mundur as intervenimi i NATO-s pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e as UÇK-ja pa NATO-n.


Palokaj tregon se si Bullgaria dhe Rumania e shpëtuan Kosovën nga invazioni rus më 1999

Gazetari Augustin Palokaj ka kujtuar 11 qershorin e 1999-s kur trupat ruse patën hyrë në Prishtinë e më pas ishin vendosur në Aeroportin e Prishtinës, duke nxitur shqetësim te Perëndimi për një mundësi lufte më të madhe. Ai ka thënë se ai ishte moment tmerri për shqiptarët të cilët atë ditë prisnin dislokimin e NATO-s.

“Befas ushtarët rusë u paraqitën në Prishtinë, u pritën nga qytetarët serbë të asaj kohe ndërsa ishte tmerr për shqiptarët që prisnin NATO-n. E lanë qytetin dhe shkuan në drejtim të aeroportit dhe aeroporti ishte pikë strategjike”, është shprehur ai në “Konfront”.

Tutje Palokaj tregoi se ishte Bullgaria dhe Rumania që atë kohë u bënë shpëtues të Kosovës nga invazioni rus, pasi morën vendimin për mbylljen e hapësirës së tyre ajrore, çka pamundësoi lëvizjen nga Moska.

“Gjenerali Wesley Clark kishte dhënë urdhër që të merrej nën kontroll aeroporti. Nuk kishte mundësi tjetër, ose t’i lusësh rusët na lejoni ta marrim aeroportin ose të konfrontohesh me ta. Ata nuk ishin shumë dhe nuk ishin problem për NATO-n, por ama ishin trupa ruse. Ata prisnin që nga Moska të vinte me mijëra ushtarë të njësive speciale ruse që me parashuta të vendoseshin në aeroport, dhe kjo ka mundur të ndodhë. Por, Bullgaria e Rumania nuk e lejuan përdorimin e hapësirës së tyre ajrore. Ka qenë një qëndrim shumë i sinqertë i tyre, të dyja kanë qenë më të varfrat në Evropë në atë kohë. Shumë gjëra kanë ndodhur rastësisht që kanë mundur të ndodhin ndryshe”, ka thënë Palokaj.