Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka njoftuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendën e ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas shtatë ditësh.
Në një lidhje direkte për emisionin “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se vendimi për ta hequr prej rendit të ditës liberalizimin e vizave në mënyrë që të miratohet edhe formalisht pa diskutim nga Coreperi, është hera e parë që ka treguar ndërlidhje të drejtpërdrejt midis procesit të liberalizimit të vizave dhe atij të dialogut Kosovë-Serbi.
“Burimet diplomatike së pari kishin njoftuar se ka kaluar teksti i vendimit në grupin e këshilltarëve për viza dhe është vendosur që sot të jetë në rend dite të Coreperit – ambasadorëve të vendeve anëtare, që të miratohet edhe formalisht pa diskutim. Më vonë në mbrëmje Presidenca Çeke e ka njoftuar vendet anëtare se e ka hequr nga rendi i ditës me arsyetimet se nuk është ideale të jetë në rend dite tani pas situatës së krijuar, por është shprehur se do të jetë në rend dite pas shtatë ditësh. Është hera e parë kur një vendim i procesit të liberalizimit lidhet me procesin e dialogut në mënyrë direkte”, është shprehur ai.
Më tej, Palokaj ka theksuar se vendimi i së mërkurës, me anë të së cilit lindin dyshimet që procesi i dialogut mund ta pengojë procesin e liberalizimit të vizave mund të ketë qenë i ndikuar nga ata që janë kyçur në dialog, në mënyrë që ta mbajnë këtë proces si element për presion ndaj Kosovës.
“Diplomatët pohojnë se nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë pengesë tani. Është e pakëndshme dhe është e padrejtë sepse për 10 vjet është thënë që janë dy procese të ndara, por tani dalin arsyet për të dyshuar nëse edhe vendimi për hyrjen në fuqi pas 1 viti mund të ketë qenë i ndikuar nga ata që janë të kyçur në dialog për ta mbajtur edhe liberalizimin e vizave si një element për presion ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Palokajt, nëse nuk do të ketë tensione të tjera në veri, më 30 nëntor mund të kalojë.