LAJMET E MBRËMJES

Ministrat e BE-së miratojnë hapin kyç drejt liberalizimit të vizave për Kosovën

Pasi në nivelin e lartë politik, atë të Ministrave të Brendshëm, është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave, tani mbeten vetëm edhe disa hapa formalë deri në përmbylljen e procesit. Vendimi pritet që të nënshkruhet në muajin prill, të botohet në Fletën Zyrtare të BE-së dhe të jetë gati për të hyrë në fuqi, sipas të gjitha gjasave, më1 janar të vitit 2024

Vendimi formal për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës i është afruar fundit, pasi që të enjten është miratuar në lexim të parë edhe nga ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme të BE-së.

Është ky hapi kyç formal drejt përmbylljes së procesit, pasi në pjesën e fundit të vitit të shkuar rreth tekstit të vendimit ishin pajtuar ambasadorët e vendeve anëtare dhe më pas edhe negociatorët e Këshillit të BE-së me ata të Parlamentit Evropian. Ky vendim do të shpjerë drejt heqjes së vizave për udhëtimin e qytetarëve të Kosovës në të gjitha vendet e zonës Schengen, në të cilin përfshihen të gjitha vendet anëtare të bllokut evropian, por edhe Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, vende këto që ani se nuk janë pjesë e BE-së, janë në zonën evropiane të lëvizjes së lirë.

Ministrat e brendshëm të BE-së i kanë dhënë miratimin këtij vendimi “në leximin e parë”, pa diskutime shtesë, pasi që për këtë më 1 mars, gjatë takimit të ambasadorëve, ishte arritur pajtim mes përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në Bruksel.

E kënaqur me vendimin e së enjtes është shprehur ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard, vendi i së cilës e ka kryesimin e radhës të BE-së.

“Këshilli sot e miratoi pozicionin për lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Sipas rregullave të reja, kjo u mundëson bartësve të këtyre pasaportave udhëtim në BE pa viza, me mundësi qëndrimi për një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditësh. Ky përjashtim nga detyrimi për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme”, ka thënë ajo. “Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, si dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këtë fushë do të vazhdojë”, ka shtuar Malmer Stenegard.

Kosova është vendi që ka pritur më së gjati për vendimin për liberalizimin e vizave. E fundit e kishte nisur këtë proces, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera të rajonit e kishin siguruar mundësinë e lëvizjes së lirë para më shumë se 10 vjetësh. Ndonëse Kosova i pati përmbushur të gjitha kriteret qysh në vitin 2018 dhe se këtë e kishte konfirmuar edhe Komisioni Evropian, çështja ka mbetur e bllokuar për vite me radhë në Këshill, ku disa vende kishin qëndrime kundër.

Në mesin e vendeve që më së shumti e kanë penguar këtë vendim ishin Franca dhe Holanda, por gjatë vitit të shkuar edhe këto dy shtete janë pajtuar se Kosova i ka përfunduar të gjitha detyrat që iu kërkuan dhe se e meriton liberalizimin e vizave.

Teksti i vendimit, i cili është miratuar të enjten, nuk ka ndryshuar dhe është i njëjti me të cilin ishin pajtuar vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian në procesin e vendimmarrjes, në fund të vitit të shkuar.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së zbatimit të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional Sistemi i Autorizimit dhe Verifikimit të Udhëtimeve (ETIAS) apo jo më vonë se më 1 janar të 2024-s. Tashmë është bërë e ditur se do të ketë përsëri shtyrje në afatin e hyrjes në fuqi të ETIAS-it deri në vitin e ardhshëm. Për këtë shkak, 1 janari i 2024-s mbetet afati më real për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo do të ndodhë edhe nëse sistemi ETIAS nuk do të jetë funksional deri në atë datë. Dhe kur ETIAS-i të hyjë në fuqi do të jetë shumë e lehtë për qytetarët që ta përdorin atë. Ata vetëm duhet që të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, t’i shënojnë aty të dhënat e tyre dhe më pas të marrin një autorizim, i cili është i vlefshëm për tre vjet. Për këtë, qytetarët duhet të paguajnë 7 euro, porse ata të moshës nën 18-vjeçare dhe mbi 70 vjeç mund ta sigurojnë këtë shërbim falas.

I gjithë procesi zgjat vetëm disa minuta dhe menjëherë në mënyrë elektronike marrin përgjigjen. Por nëse personat që duan të udhëtojnë në BE pa viza kanë ndonjë dosje për veprimtari kriminale, kjo mund ta bëjë më të vështirë marrjen e autorizimit. Dhe ky edhe është qëllimi i sistemit ETIAS, që t’ua mundësojë vendeve të BE-së që të dinë paraprakisht se kush do të hyjë në territorin e tyre. Një sistem të njëjtë në këtë moment kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Pasi në nivelin e lartë politik, atë të Ministrave të Brendshëm, është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave, mbeten tani vetëm edhe disa hapa formalë deri në përmbylljen e procesit. Vendimi pritet që të nënshkruhet në muajin prill, të botohet më pas në Fletën Zyrtare të BE-së dhe të jetë i gatshëm për të hyrë në fuqi, sipas të gjitha gjasave, më 1 janar të 2024-s.

Tash vendimi do të miratohet edhe një herë në Komisionin përkatës të Parlamentit Evropian dhe në seancë plenare, e më pas do të jetë gati për t’u nënshkruar. E gjithë kjo pritet që të ndodhë brenda muajve mars apo prill, dhe gjithsesi para fundit të qershorit, kur përfundon edhe kryesimin i BE-së nga Suedia.