Është eliminuar të martën edhe pengesa e fundit në vendimmarrjen drejt udhëtimit pa viza të qytetarëve të Kosovës. Parlamenti Evropian e ka miratuar, pa asnjë kundërshtim, vendimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Të mërkurën (19 prill) do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Parlamenti Evropian ka miratuar të martën në seancë plenare vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, me çka edhe ka marrë fund procesi i vendimmarrjes.
Ky proces, siç kanë thënë edhe shumë deputetë, duke e përshëndetur këtë hap, ka qenë i stërzgjatur për Kosovën, dhe Kosova kështu do të jetë vendi i fundit në rajon, qytetarët e të cilit do të kenë mundësinë që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në seancë plenare ka konstatuar se pasi nuk ka pasur asnjë kundërshtim e asnjë amendament në propozimin e këtij vendimi, konsiderohet se ai është miratuar sikurse edhe akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.
"Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të Ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar", tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Ky akt do të nënshkruhet të mërkurën, pikërisht nga presidentja e PE-së dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e BE-së në emër të kryesuesit të radhës.
Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Pas ceremonisë, Bislimi e Gërvalla do të mbajnë edhe një konferencë për media, kanë njoftuar nga Qeveria.
Hyrja në fuqi e këtij vendimi pritet të jetë më 1 janar 2024. Në vendim shkuan se data e hyrjes në fuqi është ose periudha e hyrjes në fuqi të sistemit ETIAS, ose jo më vonë se më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Por pasi është bërë e ditur se ETIAS-i nuk do të jetë i gatshëm gjatë këtij viti, data reale për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë 1 janar 2024.
Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.