Arbëri

Palokaj s’pret që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen së shpejti

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në Bashkimin Evropian kanë qëndrim të qartë, që pa u miratuar të gjitha kërkesat, nuk do të ketë heqje të masave ndaj Kosovës. Sipas tij, kjo do të thotë që nuk do të ketë heqje të shpejtë të masave ndaj Kosovës.

Masat e BE-së ndaj Kosovës u vendosën më herët gjatë vitit, nën arsyetimin e ndërkombëtarëve se nuk janë përfillur kërkesat e tyre për shtensionim të situatës në veri. Ndërkombëtarët patën kërkuar që kryetarët e rinj, shqiptarë, të katër komunave në veri të vendit të dominuar nga serbët, të mos ushtronin funksionin e tyre brenda objekteve komunale. Kërkesat kishin ardhur pasi në veri nisën protesta të dhunshme nga serbë lokalë. Teksa kërkesat kanë qenë për shtensionim në terren, ka mbetur edhe kërkesa për zgjedhje të reja. Aktualisht, Qeveria e Kosovës po punon në udhëzim administrativ për t’i hapur rrugë rrëzimit të kryetarëve përmes peticionit të qytetarëve.

“Besoj se Bashkimi Evropian do t’i mbajë këto masa, pasi që ata që i kanë propozuar mendojnë se po japin fryt dhe qeveria dhe autoritetet e Kosovës kanë nisur të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet sepse pikërisht ekzistojnë sanksionet. S’besoj se do të hiqen shpejt. Burimet këtu thonë se kërkesat janë të qarta dhe s’maten me përqindje. Janë kërkesa të qarta e sapo të zbatohen në tërësi do të hiqen ato masa që nuk quhen sanksione, por për mendimin tim janë. Problemi me disa prej tyre është se kanë kaluar afatet si për disa fonde, projekte apo lansimi i tyre. Rasti i radhës do të jetë nga fund i këtij viti dhe shpresoj që gjatë vjeshtës do të hiqen”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Palokaj i ka cilësuar të pabalancuara masat, duke marrë parasysh që ato janë vënë vetëm ndaj Kosovës, ndërsa ndaj Serbisë ka pasur vetëm paralajmërime.

“Nuk pres që të hiqen aq shpejt sa kanë shpresuar autoritetet e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se aktualisht pezullimi i procesit të liberalizimit të vizave nuk përmendet në BE si opsion, por ka shtuar se “asgjë s’është e pamundur”.

Palokaj ka thënë se takimi i nivelit të lartë në dialog, i thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për 14 shtator, mund të konsiderohet si rifillim i procesit.

Sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe moszbatimit të deklaratës së zotuar nga Serbia, Palokaj ka thënë se “është Serbia ajo që po e politizon këtë çështje, me pajtimin e heshtur të ndërkombëtarëve”.

Palokaj s’është treguar optimist nëse Kosova dhe rajoni mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian deri më 2030. Sipas tij, po që se vazhdon mosnjohja nga Serbia të jetë arsye që pesë shtetet anëtare të BE-së të mos lëvizin drejt njohjes, atëherë “perspektiva do të jetë ajo që është tash”.

“E tashmja është se Kosova nuk njihet si shtet. Kanë kaluar aq shumë muaj dhe s’është shqyrtuar as aplikimi për anëtarësim në BE. Nëse s’do ta kishte këtë pengesë politike do t’ia barte Komisionit Evropian mandatin për të përpiluar opinionin nëse Kosova përmbush statusin e kandidatit. Një vit zgjat kjo minimum dhe as që ka filluar fare. Po dërgohet sinjali që s’ka lëvizje nga pesë vendet mosnjohëse. Nëse ato s’do të lëvizin pa lëvizur Serbia po i jepet Serbisë e drejta e vetos edhe për të vendosur në emër të BE-së, pasi po presin që të ketë lëvizje në dialog që ato të lëvizin drejt njohjes”, ka thënë tutje Palokaj.