Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se nuk pret që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndaj Kosovës derisa nuk shpallen zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri.
Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se Kosova nuk duhet të mashtrohet me mbështetjen e Parlamentit Evropian, pasi sipas tij, ka një pakicë të fortë në Bruksel që preferon ta ndihmojë Serbinë.
Ai ka njoftuar se ato struktura janë në Komisionin Evropian dhe në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së.
“S’duhet të mashtrohemi me mbështetjen e Parlamentit Evropian ndonëse është shumë e rëndësishme. Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që vendos me parimin demokratik të shumicës dhe gjithmonë ekziston ajo shumica pro pavarësisë së Kosovës, kundër vjedhjeve të votave në Serbi, që kritikon pozicionin e Komisionit Evropian që nuk duket i balancuar mes Kosovës dhe Serbisë, ky është qëndrimi i shumicës dhe qëndrime të tilla dëgjojmë edhe nga shumica e vendeve anëtare. Por, në Bruksel ekziston një pakicë shumë e fortë që preferon ta ndihmojë më shumë Serbinë, ato struktura janë kryesisht në Komisionin Evropian dhe në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së. Këto struktura kanë thënë se Serbia është konstruktive, ndërsa Kosova jo dhe kanë dhënë disa shembuj. Në rrethana të tilla nuk pres që të ketë së shpejti heqje të masave ndaj Kosovës. Masat ndaj Kosovës thuhet se janë vendosur me kërkesa specifike që kanë të bëjnë me tensionimin e situatës qysh në muajin maj në veri të Kosovës. Për mendimin tim, derisa nuk shpallen zgjedhjet për kryetarë të komunave në katër komunat në veri, nuk do të ketë gjasa reale për t’u hequr masat ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Palokaj ka konsideruar se moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, e arritur më 27 shkurt të vitit të kaluar, është përgjegjësi e dështimit të BE-së përta imponuar nënshkrimin e marrëveshjes në kohën kur ajo është arritur.
“Ajo që pak a shumë kuptohet nga bisedat me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe me diplomatët e vendeve anëtare është që ka një ngecje totale në implementim, ka një mosinteresi të palëve për t’i implementuar, ka një refuzim të palës serbe për t’i nënshkruar marrëveshjet dhe është krijuar përshtypja se ka tani një refuzim nga pala kosovare që të zbatohet obligimi për themelimin e Asociacionit. Fakti se ka kaluar një vit që kur është arritur marrëveshja dhe nuk ka asnjë pikë të saj të zbatuar, fakti se Lajçaku tash po mbush 4 vjet të mandatit të tij dhe nuk ka përparim, dëshmon se dialogu është në një bllokadë, të mos themi në një krizë, dhe tash bëhen përpjekje të fundit për ta ringjallur atë, që mund të ndodhë vetëm me anë të zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Nuk shoh shpresë së Bashkimi Evropian mund ta imponojë zbatimin, pa zbatim marrëveshja është e kotë. Këtë mund ta imponojnë ndoshta shtetet që kanë ndikim, si Gjermania, Franca, SHBA-ja, Italia dhe disa vende të tjera. Nëse ato nuk angazhohen, atëherë Lajçaku, Borrelli e të tjerët nuk mund të bëjnë asgjë”, është shprehur ai.
-
Palokaj: S’pritet që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës para 28 dhjetorit
-
Palokaj s’pret që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen së shpejti
- Heqja e masave që nuk u desh të vendoseshin fare
-
Paqartësi në BE për fatin e masave të nivelit politik
-
Palokaj: Komisioni Evropian po bën lojë të dyfishtë me masat ndaj Kosovës