Arbëri

Palokaj: Masat politike të BE-së më të buta se ato financiare ndaj Kosovës

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se masat e karakterit politik të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, rezultojnë të kenë qenë më shumë formale sesa reale. 

Sipas tij, ndonëse BE-ja kishte paralajmëruar ndalim të takimeve bilaterale me zyrtarë të lartë të Kosovës, një vendim i tillë nuk është respektuar plotësisht në praktikë.

Andaj, ai ka theksuar se masat politike kanë qenë më të buta krahasuar me ato financiare. 

“Të rikujtojmë se ndaj Kosovës u patën shpallur edhe masa të karakterit politik që d.m.th se Bashkimi Evropian kishte vendosur që të mos takojë zyrtarë të lartë të Kosovës në takime bilaterale, por pak a shumë nuk janë respektuar këto masa sepse ka pasur nga vende të ndryshme të BE-së takime me zyrtarë të Kosovës, e ka pasur takime edhe në Bruksel, kështu që ato masa janë vërejtur shumë më pak sesa masat financiare, prandaj mund të themi se pas zgjedhjeve pritet të hiqen të gjitha masat”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Palokaj ka folur edhe për samitin e BE-së të enjten dhe të premten, për çka ka thënë se tema më e vështirë e tij është Ukraina dhe mënyra e financimit të këtij shteti. 

“Sot dhe nesër është samiti i BE-së, ku janë shumë tema e tema më e vështirë është Ukraina dhe mënyra se si të financohet ai shtet, por është diskutuar edhe për zgjerimin në aspektin strategjik se si t’i qaset BE-ja procesit të zgjerimit, sepse tash po diskutohet edhe rëndësia gjeostrategjike e procesit të zgjerimit, ndërsa mbrëmë ishte takimi vjetor i rregullt i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku në veçanti u përmend se mungesa e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i pengon të dyja në rrugëtimin e tyre evropian”, ka thënë më tej ai.

Për mospjesëmarrjen e Serbisë në samit, Palokaj ka thënë se kësaj radhe nuk ka pasur trysni ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të marrë pjesë me patjetër.

“Në atë samit nuk mori pjesë Serbia, pas një kohe të gjatë dhe me gjasë për herë të parë, kështu kishte vendosur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kësaj radhe nuk ka pasur ndonjë trysni ndaj tij që të marrë pjesë”, ka thënë ai.