Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Turqia ndër partneret tona kryesore në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët kryesorë të Kosovës në NATO.

Në takimin e zhvilluar të dielën me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, Osmani e ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdogan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shtuar më tej Osmani.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes, thuhet se Osmani dhe Çavusoglu në këtë takim kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç’rast, është potencuar se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

“Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Osmani, duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve kanë potencial të thellohen edhe më tej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Republika e Turqisë është shtet partner e aleat i Kosovës. Në takim me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, Kurti tha se po përkushtohen për nxitjen e investimeve nëpërmjet “zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social”.

Në komunikatën e Zyrës së kryeministrit drejtuar mediave të dielën, Çavusoglu tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

Edhe Osmani: Turqia mbetet partnere strategjike Arbëri Osmani: Turqia mbetet partnere strategjike

“Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta. Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve”, thuhet në komunikatë.

Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi mes dyja vendeve në ekonomi, energji, siguri e mbrojtje.

Në takim me homologun Çavusoglu, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u shpreh mirënjohëse ndaj Turqisë.