Arbëri

Osmani – përfaqësuesit francez: Radoiçiqi pengonte normalitetin, jo urat

Presidentja Vjosa Osmani i ka thënë të dërguarit të posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasador Rene Troccaz

Presidentja Vjosa Osmani i ka thënë të dërguarit të posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasador Rene Troccaz, se ka qenë veprimtaria kriminale e Milan Radoiçiqit ajo që ka penguar normalitetin dhe lëvizjen e lirë, dhe jo urat.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, Osmani në këtë takim ka thënë se mirëpret hapjen e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Sipas njoftimit, ajo ka thënë që mbyllja e urës kryesore të Mitrovicës më 1999 nuk ishte bërë për siguri, por për shkak të vendimeve të dëmshme politike. Ka thënë se është për keqardhje që kjo urë vazhdon të jetë e mbyllur edhe 10 vjet pas marrëveshjes së Brukselit.

“Është veprimtaria kriminale dhe destabilizuese e Radojçiqit dhe grupeve kriminale në veri që pengonte normalitetin dhe lëvizjen e lirë, duke krijuar atmosferë frike dhe tensioni , e jo urat”, theksoi ajo. Presidentja sqaroi se këto struktura ilegale kriminale janë të vetmet përgjegjëse për dhunën e tensionet dhe jo infrastruktura që ndërtohet për të bashkuar komunitetet”, ka thënë Osmani në këtë takim, sipas njoftimit.

Osmani po ashtu ka thënë se masat kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta dhe godasin qytetarin pa arsye në mirëqenie. Sipas saj, masat dëmtojnë edhe proceset demokratike, zhvillimin e vendit dhe kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Në takim janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë e siguria rajonale. Osmani ka thënë se Kosova ka orientim strategjik integrimin në BE dhe në NATO.