Muzeu “Whitney” në New York po shet një pikturë të Willem de Kooningut në ankandin e “Christie’s” javën e ardhshme, vetëm tre vjet pasi e pranoi zyrtarisht veprën si dhuratë nga familja e njërit prej ish-presidentëve të tij.
“Yellow River” (1958), një pikturë e madhe abstrakte, e dominuar nga penelata të fuqishme në ngjyrë të kaltër dhe të verdhë, ka një vlerësim prej 12 deri në 18 milionë dollarësh (16 milionë e 319 mijë euro) dhe do të jetë pjesë e ankandit të mbrëmjes së “Christie’s”, kushtuar artit të shekullit 20, më 17 nëntor.
“Yellow River” ishte në pronësi të David M. Solingerit, avokat dhe koleksionist, i cili më 1966 u bë presidenti i parë i “Whitney që nuk vinte nga familja Whitney. Solinger e bleu pikturën nga galeria “Sidney Janis” më 1959 dhe, sipas “Christie’s”, i pëlqente aq shumë saqë për një kohë e mbajti të varur në këmbët e shtratit, ku mund ta shihte çdo mëngjes.
Pas vdekjes së Solingerit më 1996, piktura kaloi në pronësi të bashkëshortes së tij, Betty Ann Besch Solinger, e cila më 2011 ia premtoi atë muzeut “Whitney”. Vepra u ekspozua në muze po atë vit, por dhurimi nuk u përmbyll zyrtarisht deri më 2023, pasi ajo vdiq më 2022. Tani, tre vjet më vonë, piktura po rikthehet në treg.
Kjo nuk është hera e parë që “Whitney” merret me praktikën e heqjes së veprave nga koleksioni i përhershëm i një muzeu përmes shitjes. Më 2023, muzeu dërgoi në ankandin e “Sotheby’s” një grup pikturash të Edward Hopperit, Maurice Prendergastit, John Marinit dhe të tjerëve. Në krye të këtij grupi ishte “Cobb’s Barns, South Truro” (1930–33), e Edward Hopperit, për të cilën ishte caktuar një vlerësim prej 8 deri në 12 milionë dollarësh.
Në atë kohë, Jane Panetta, atëbotë kuratore dhe drejtoreshë e koleksionit të “Whitney”, i tha revistës “ARTnews” se shitjet ishin pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zgjeruar dhe diversifikuar fondin e muzeut.
“Ne vazhdimisht mendojmë se si përkufizohet ‘muzeu i artit amerikan’, duke pasur parasysh dëshirën që koleksioni ta përfaqësojë me saktësi Shtetet e Bashkuara. Mendojmë se kjo nënkupton që koleksioni duhet të evoluojë. Duhet të përpiqemi t’i mbyllim boshllëqet thelbësore dhe krijimi i fondeve nëpërmjet fondacionit për blerje është një nga mënyrat kryesore për ta bërë këtë”, tha Panetta.
Në fakt, “Plani Strategjik i Koleksionit 2023” i “Whitney”-t rekomandoi që heqja e veprave nga koleksioni përmes shitjes të bëhej pjesë më e rregullt e strategjisë së institucionit për pasurimin e koleksionit, veçanërisht në fushat ku ai tashmë zotëron një numër të konsiderueshëm veprash. Muzeu ende ka disa piktura të rëndësishme të de Kooningut, përfshirë “Door to the River” (1960), e cila i përket përafërsisht të njëjtës periudhë me “Yellow River”.
E pikturuar më 1958, “Yellow River” i përket një momenti veçanërisht të rëndësishëm në karrierën e de Kooningut, kur ai po largohej nga figurat e paraqitura në pikturat e tij të famshme të serisë “Woman”, drejt kompozimeve gjithnjë e më abstrakte, të frymëzuara pjesërisht nga peizazhi dhe autostradat përreth Nju-Jorkut. Piktura ishte përfshirë në ekspozitën e tij të vitit 1959 në galerinë “Sidney Janis”, ku, sipas “Christie’s”, 19 nga 22 veprat ishin shitur deri në mesditën e ditës së hapjes.
Heqja e veprave nga koleksioni përmes shitjes vazhdon të jetë një temë e ndjeshme në botën e muzeve, ndonëse Shoqata e Drejtorëve të Muzeve të Artit thotë se është e pranueshme që institucionet t’i përdorin të ardhurat nga shitjet për të blerë vepra të reja ose për të financuar kujdesin e drejtpërdrejtë për koleksionet e tyre. Sipas politikës së koleksioneve të “Whitney”, veprat synohet të mbeten përgjithmonë pjesë e koleksionit, ndërsa shitjet që do ta përmirësonin ose do ta përpunonin më tej fondin e tij përgjithësisht konsiderohen të pranueshme.