Një ditë pasi Misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi për tërheqjen graduale nga Ura e Ibrit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kishte ndërhyrë që ura të mos hapej. Por lajmi u mirëprit nga banorët shqiptarë të Mitrovicës, të cilët e shohin kalimin e përgjegjësisë te Policia e Kosovës si hap pozitiv
Një ditë pasi KFOR-i njoftoi se do të ketë tërheqje graduale nga Ura e Ibrit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se ka ndërhyrë që të mos hapet për qarkullimin e veturave kjo urë.
Duke komentuar këtë zhvillim, Vuçiq ka thënë se njoftimi për tërheqjen graduale të KFOR-it nga Ura e Ibrit nuk ishte i papritur për të.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsiloviq, supozoj, ka biseduar me komandantin e KFOR-it edhe për çështje të tjera, sepse ata donin ta hapnin urën mbi Ibër në Mitrovicë dhe për këtë arsye pasoi ndërhyrja jonë që një gjë e tillë të mos lejohet”, ka thënë Vuçiqi.
Por lajmi për tërheqjen e KFOR-it mbi urën kryesore mbi lumin Ibër është mirëpritur nga banorët shqiptarë të Mitrovicës.
Ish-zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, tha se ky është një lajm shumë i mirë.
Edhe
Muja ekspozon disa lloje tjera të qumështit ku është gjetur vaj palme
“Mendoj urat lidhin njerëzit, urat lidhin popujt, urat... Mendoj, jo i kësaj ure që një kohë ka qenë, po mendoj si simbol i ndarjes. Është lajm i mirë, është pjesë, po mendoj, e vazhdimit, pasi veç çështja është për t’u ndjerë që një kohë të gjatë nuk ka pasur, po mendoj, ekscese ndëretnike. Është filluar, po mendoj, një pjesë normale, është lajm shumë i mirë, por lajmi do të jetë i mrekullueshëm ose do të mbërrijë aty nëse hapet ura, po mendoj, për qarkullim edhe mos të ketë nevojë për të mbikëqyrur, qoftë ajo e miqve tanë ndërkombëtarë, ose qoftë edhe prej policisë”, ka deklaruar Sadiku.
Edhe disa qytetarë të tjerë largimin e ushtarëve të KFOR-it nga ura e kanë vlerësuar si lajm pozitiv për vendin.
“Kjo urë është shumë e vjetër. E mbaj mend unë kur ka qenë, ka qenë gjysma me gurë edhe ura na ka lidhur. Por të tregoj edhe, kurrë sa herë iknim prej shkolle, vinim këtu. Këtu ka pasur plazh, si plazh, në atë kohë. Por lufta e bëri të vetën. Shumë është pozitive edhe le të dinë edhe serbët, edhe shqiptarët që kjo është për të mirë, nuk është për të keq”, është shprehur Fetah Isufi.
Ndërsa Lindi Haruqi, ka vlerësuar se KFOR-it është të largohet para dy ose tri viteve.
“Ka qenë një proces politik dhe i vonuar. Po, megjithatë, nuk është vonë. Është mirë që sigurinë e qytetit të Mitrovicës po e merr Policia e Kosovës. Mendoj që është pozitive për të gjithë banorët, që janë pjesa e jugut edhe në atë veriore, është pozitive”, ka thënë Haruqi.
Ura mbi lumin Ibër ka qenë për vite një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Mitrovicë dhe simbol i ndarjes së qytetit. Ajo aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë.
Edhe
Kuvendi hap dyert për mërgimtarët, ata bëjnë thirrje të shmanget bllokada
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte rivitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Qeveria e Kosovës së fundmi ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore, një për këmbësorë dhe një për automjete.