Skandali me librin e James Pettiferit për UÇK-në
Para disa ditësh dëgjova disa konstatime të Baton Haxhiut, në një intervistë në T7, lidhur me mua dhe familjen time. Shkrova një reagim në Facebook sepse edhe pjesa e intervistës ashtu e ndarë nga tërësia mori dhenë nëpër rrjete sociale.
Ndërkohë lexova edhe kapitullin e librit i cili u përfol në atë intervistë. Kapitulli i librit ishte edhe më i thellë në gënjeshtër, injorancë e primitivizëm se paraqitja e autorit në tij në televizion, në këtë apo në raste të tjera.
Mendova se një mënyrë e mirë e adresimit të kësaj çështjeje është nëpërmjet të një analogjie dhe praktikave krahasimtare. Më 2013 hasa në një libër me plot gënjeshtra nga dikush që nuk do ta prisja. Dr. James Pettifer autor i njohur, botoi një libër për UÇK-në. Miq në SHBA e Britani të Madhe, akademikë e diplomatë, ma tërhoqën vërejtjen për disa parregullsi. Kur i lexova pjesët që kishin të bënin me mua, pashë që ishin gënjeshtra. Dhe i shkrova Pettiferit këtë letër, të cilën ia përcolla botuesit të tij në Londër, Hurst Publishers.
James,
Miqtë më njoftuan për librin tënd “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Nga lufta klandestine te kryengritja ballkanike, 1948–2001”.
Edhe Agjentë për KosovënKam pasur rast t’u hedh një sy pjesëve ku përmendet emri im. Deri më tani, në këto faqe kam gjetur disa të pavërteta të rënda.
Në faqen 91 shkruan:
Pronari i medias dhe gazetari Veton Surroi gëzonte përkrahje në Perëndim, por ishte larguar shumë nga udhëheqja e Lidhjes Demokratike nën Rugovën. Ai e njihte personalisht dhe e çmonte Hashim Thaçin nga takimet klandestine në Zvicër. Surroi ishte gjithashtu në kontakt me shërbimet perëndimore të inteligjencës, veçanërisht me ato britanike, dhe nëpërmjet tij shërbimet e huaja filluan të kuptonin se natyra e luftës politike në Kosovë kishte gjasa të ndryshonte, ndoshta shumë shpejt.
Në këtë fazë, Surroi ishte burimi njerëzor më i besueshëm dhe shpesh i vetmi që shërbimet perëndimore të inteligjencës, sidomos ato britanike, kishin në dispozicion për të marrë informacione mbi UÇK-në dhe LPK-në jashtë vendit. Gazeta e tij në Prishtinë financohej nga britanikët…
Po i rendis këto katër të pavërteta.
a) Nuk e njihja Hashim Thaçin nga takime klandestine në Zvicër, ndaj as nuk mund ta çmoja nga takime të tilla. Nuk kam pasur kurrë me Thaçin ndonjë takim klandestin apo të çfarëdo lloji tjetër në Zvicër ose gjetiu. Me përjashtim të një takimi të shkurtër më 1991, kur nuk e dija se kush ishte, takimi im i parë me Thaçin ka qenë në Rambuje, më 1999.
b) Nuk isha dhe nuk kam qenë kurrë në kontakt me shërbimet perëndimore të inteligjencës (për më tepër, as me ato lindore, jugore apo veriore), së paku me dijeninë time. E kuptoj se, ndër vite, njerëz të ndryshëm që janë paraqitur si diplomatë, gazetarë apo punonjës të organizatave joqeveritare mund të kenë punuar për shërbimet e inteligjencës. Asnjëri prej tyre nuk më është prezantuar ndonjëherë si punonjës i këtyre shërbimeve.
c) Nëse, siç thua ti, gjatë viteve 1997–1999 paskam qenë “i vetmi burim njerëzor për informacione mbi UÇK-në dhe LPK-në jashtë vendit që kishin në dispozicion shërbimet perëndimore të inteligjencës, sidomos ato britanike”, atëherë këto shërbime duhet të kenë qenë pothuajse në errësirë të plotë. Në atë kohë dija fare pak për UÇK-në misterioze dhe nuk dija asgjë për LPK-në jashtë vendit (për më tepër, as për LPK-në brenda vendit).
d) “Koha Ditore”, gazeta që themelova dhe që ishte një zë kritik në ato kohë kritike, nuk financohej nga britanikët, siç shkruan ti. Qeveria britanike, megjithatë, ka ndihmuar me bujari për botimin e Kohës Ditore për refugjatët gjatë fushatës së bombardimeve më 1999 dhe për rivënien në punë të shtypshkronjës së KOHËS pas luftës.
Në faqen 172 shkruan se “më 19 nëntor, në Cyrih, u takuan aq anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa patën mundësi të merrnin pjesë, bashkë me Surroin dhe një a dy pjesëmarrës të pavarur…”.
Nuk kam marrë pjesë kurrë, askund, në asnjë takim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në fakt, vetëm në Rambuje, unë dhe shumica e anëtarëve të ekipit negociator, morëm vesh se kush ishte komandanti i UÇK-së.
Në faqen 193 shkruan se “Veton Surroi, ndërmjetës kryesor i UÇK-së, duket se ishte vënë në dijeni që në fund të janarit, nga sekretari i Jashtëm britanik Robin Cook, për mundësinë që fushata ajrore të fillonte në prill”.
Edhe ky hamendësim i yti është krejtësisht i gabuar. Sado i hapur të ketë qenë Robin Cook me mua, ai nuk ka diskutuar kurrë me mua për çështje ushtarake.
Edhe
Sonte PIKË me Veton Surroin, mysafir Edward Joseph
Së fundi, në shënimet e tua i paraqet edhe dy të pavërteta.
Në shënimin 41 thua se “në kohën osmane, familja Surroi zotëronte sipërfaqe të mëdha toke në atë që sot është Shqipëria e Veriut”.
Në familjen time nuk ruhet asnjë kujtesë, qoftë me shkrim, qoftë gojore, për prona të tilla. Është thjesht e pavërtetë.
Në shënimin 16 shkruan:
“Telefonat celularë të Swisscomit luajtën rol jetik në konflikt dhe, sipas disa pjesëmarrësve, si Veton Surroi, në një intervistë të vitit 2000, kishin po aq rëndësi simbolike sa pushkët e teknologjisë së lartë nga SHBA-ja. Serbët nuk e kishin teknologjinë e përgjimit telefonik që do t’ua mundësonte të deshifronin kodet zvicerane të komunikimit zanor. Me shumë gjasë, as shumica e vendeve perëndimore nuk e kishin. Për një politikan si Surroi, kjo do të thoshte se Beogradi nuk e dinte sa i afërt ishte bërë ai me Hashim Thaçin dhe me udhëheqjen politike të UÇK-së deri në fund të vitit 1998”.
Nuk po hyj në hamendësime për kodet zvicerane të komunikimit zanor, meqë nuk kam njohuri të specializuara për këtë çështje. Por ky paragraf i çuditshëm përfundon me një tjetër pohim të pavërtetë, atë për afërsinë time me Thaçin dhe me udhëheqjen politike të UÇK-së. Siç e kam thënë më sipër, nuk e njihja Thaçin dhe nuk dija asgjë për strukturën e udhëheqjes politike apo ushtarake të UÇK-së. Prandaj, nuk kisha si të shfaqja ndonjë afërsi me ta, qoftë nëpërmjet kodeve zvicerane të komunikimit zanor, qoftë nëpërmjet kodeve të ndonjë operatori tjetër telefonik.
Më habit që nuk e shfrytëzove rastin të më pyesje për asnjërën nga çështjet për të cilat shkruan duke përmendur emrin tim, sidomos kur e ke pasur mjaft të lehtë të më kontaktoje gjatë më shumë se njëzet vjetëve që njihemi.
Nuk do të hamendësoj për motivin që të ka shtyrë të më përshkruash kështu dhe as do t’i cilësoj veprimet e tua.
Megjithatë, mendoj se, duke botuar të pavërteta, ke dëmtuar si historinë, ashtu edhe mua personalisht. Do të të isha mirënjohës nëse do të gjeje një mënyrë për t’i korrigjuar gabimet e tua.
Po ua përcjell këtë letër edhe botuesve të tu, me shpresën se edhe ata do të gjejnë një mënyrë për t’i ndrequr këto padrejtësi.
Gjithë të mirat,
Veton Surroi
Edhe Një rilexim i Këmbëve të GjarpritPrishtinë, 17 janar 2013
(Nesër: Si u shkatërruan librat e Pettiferit?)