Arbëri

Osmani për shpërthimin në Ferizaj: Jam e tronditur

15 persona janë dërguar në Emergjencën e QKUK-së pas lëndimeve të marra nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj.

Për rastin në fjalë kanë reaguar disa nga zyrtarët politik në vend. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shkruar se ndjehet e tronditur nga ngjarje e sotme dhe lutet për shëndetin e të lënduarve.

“E trishtueshme ngjarja në Ferizaj në këtë fillimvit. E tronditur nga lajmi për shpërthimin e fuqishëm të pasdites në një nga restorantet në këtë qytet. Në këto momente lutemi për shëndetin e të lënduarve dhe jemi pranë familjarëve të tyre. Duke u lutur që të mos ketë viktima, shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, u ka uruar shërim të lënduarve dhe ka kërkuar zbardhje të rastit.

“I tronditur nga lajmi për lëndimin e 42 qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve ka edhe të mitur, nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal afarist në Ferizaj. Të gjithë të lënduarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë dhe kthim pranë familjeve të tyre. Duhet sa më parë të zbardhen rrethanat e këtij rasti”, ka shkruar Hoti.

I prekur me rastin thotë se ndihet edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Ai ka thënë se ka biseduar me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun për të mësuar gjendjen e personave të përfshirë në aksident.

“Tani në këto momente gjithçka duhet të fokusohet në shpëtimin e jetërave të të lënduarve në këtë fatkeqësi. Falënderoj ekipet e emergjencës, policinë e zjarrfikësit që bënë gjithçka që të ndihmojnë sa më shpejtë të lënduarit”, ka shkruar Hoxhaj.

Kryetari i Nismes, Fatmir Limaj, ka thënë se bashkëndjen me 40 qytetarët e lënduar në këtë shpërthim. Ai ka shkruar se lutet që gjendja shëndetesore e tyre të përmirësohet.

Për këtë, ka folur edhe ministri në detyrë i MPB-së, Agim Veliu, i cili thotë se lajmet e tilla janë shqetësuese dhe se rastet e tilla duhet të ngrisin nevojën e kujdesit më të madh.

“Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj do të vazhdojnë të ju dalin në ndihmë qytetarëve të saj pa dallim në çdo rrethanë, duke ju ofruar përkujdesje dhe siguri”, thuhet në statusin e tij në Facebook.