Arbëri

Osmani: Katastrofa humanitare në Gazë dhe vuajtjet e civilëve duhet të ndalojnë

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se katastrofa humanitare në Rripin e Gazës dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, duhet të ndalojnë. 

Ajo ka thënë se Kosova përkrah përpjekjet e SHBA-së, Katarit e Egjiptit për arritjen e një armëpushimin dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve. 

“Fëmijët kurrë s’i nisin luftërat! Por, janë ata që vuajnë më së tepërmi dhe i bartin pasojat më të mëdha të çdo konflikti. Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, është zemërthyese dhe duhet të marrë fund. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht nacionalitetit apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet. Ne përkrahim plotësisht përpjekjet për armëpushim të udhëhequra nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, përfshirë përpjekjet për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve. Në ndërkohë, sigurimi i qasjes ndaj ushqimit, ujit dhe barnave për më të cenueshmit duhet të jetë prioritet kyç për ta zbutuar vuajtjen në mesin e të pafajshmëve të shkaktuar nga lufta”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Ajo ka thënë se përkrah angazhimin ndërkombëtar për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, ku si izraelitët ashtu edhe palestinezët mund të jetonin në dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë. 

“Derisa e ardhmja të realizohet, çdo tentim duhet të bëhet për të parandaluar humbje të mëtutjeshme të jetëve të pafajshme dhe për t’i zbutur vuajtjet e gjithë njerëzve”, ka shkruar Osmani.