Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur të enjten në takim nga presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo.
Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim, Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.
Po ashtu, Presidenca ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Panama, Osmani do ta përurojë shtatoren e Shën Terezës në një ceremoni të organizuar bashkë me ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa.
Presidentja ka falënderuar homologun e saj, Cortizo për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror.
“Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë”, ka thënë Osmani gjatë takimit.
Osmani dhe Cortizo kanë diskutuar edhe për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.