Arbëri

Osmani: Aleanca me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, në ADN-në e shtetësisë sonë

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova e ka në ADN aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partneritetin me NATO-n.

Gjatë vizitës në Hungari, duke folur para studentëve e profesorëve të Universitetit Eötvös Loránd, Osmani ka treguar prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës përfshirë raportet me Hungarinë.

“Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj integrimit euroatlantik. Ajo theksoi se Kosova është e vendosur të bëhet pjesë e plotë e familjes së shteteve euroatlantike dhe se aleanca me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe partneriteti me aleatët e NATO-s përbëjnë shtylla të qëndrueshmërisë rajonale dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e hapësirës euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Presidencës të mërkurën.

Osmani, sipas komunikatës, ka folur për arsimin si urë lidhëse mes dy kombeve dhe si themel për bashkëpunim afatgjatë. Ajo ka folur edhe për raportin historik të raporteve shqiptaro-hungareze.

“Në shekullin XV, shqiptarët dhe hungarezët qëndruan krah për krah për mbrojtjen e qytetërimit evropian. Ishte një aleancë mbi vlera shpirtërore, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta si liria, identiteti dhe dinjiteti. Sot, në një Evropë që po ndryshon, ky trashëgim frymëzues na udhëzon për të ndërtuar partneritete që reflektojnë vizionin e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të bashkuar”, ka thënë ajo, sipas Presidencës.

Osmani ka vlerësuar se marrëdhëniet Kosovë-Hungari kanë potencial për t’u thelluar në energji të ripërtërishme, turizëm, teknologji e arsim.